Ndërprerja e energjisë elektrike Foto: KALLXO.com Foto: KALLXO.com

Malisheva e Rahoveci u ankuan se po kanë telashe me rrymë - KEDS-i jep versionin e vet

Komuna e Rahovecit dhe ajo e Malishevës u ankuan gjatë javës që shkoi për problemet e tyre me furnizimin me energji elektrike.

Zëdhënësi i Kompanisë Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike, Lulzim Krasniqi thotë se në Malishevë linjat e tensionit të mesëm janë në përfundim e sipër.

Tashmë kur ndodhemi në stinën e dimrit, rritja e konsumit është shumë e lartë, gjë që po e ngarkon tej mase rrjetin elektrik shpërndarës. Në rastin e Malishevës, përveç kësaj ngarkese, është edhe mungesa e kapaciteteve transmitive të tensionit të lartë arsyeja pse këta konsumatorë nuk kanë furnizim të rregullt me energji elektrike”- thotë Krasniqi për Kallxo.com.

Krasniqi shton se ndërtimi i një nënstacioni të ri do të përmbushte kërkesat për konsum.

KEDS-i do të bëjë për herë të parë implementimin e instalimit të “super përçuesit”, duke eliminuar përçuesin aktual. Ky super përçues i ka edhe sfidat e veta për instalim, meqë duhet të adoptohet në të njëjtën linjë, pra nuk bëhet linjë enkas për të”- shton Krasniqi.

Ai thotë se instalimi i këtij super përçuesi është i pari i llojit të vet në Ballkan, teksa shton se në pranverë do të bëhet ndërrimi i përçuesit aktual.

Për rastin e Komunës së Rahovecit, Krasniqi thotë se problemi erdhi nga një kontraktor i kësaj Komune.

Së fundi, një kontraktor i komunës së Rahovecit, gjatë realizimit të punimeve për zhvendosjen e Nënstacionit dhe disa kabllove, ka dështuar dy herë në lidhje kabllore dhe, si rezultat, është afektuar një pjesë e madhe e qytetit”- deklaron Krasniqi.

Kjo sipas tij ka shkaktuar vështirësi në furnizimin me rrymë.

Krasniqi u ka bërë thirrje qytetarëve që të shpenzojnë energjinë elektrike në mënyrë racionale që të mos ketë ngarkesa.

Kallxo.com ka kërkuar nga KEDS edhe informata se a po përballen me telashe të tilla edhe komunat tjera por që KEDS nuk ka kthyer përgjigje.

Komuna e Rahovecit dhe ajo e Malishevës në fundjavën që shkoi u ankuan se po përballen me ndërprerje të shpeshta dhe të paparalajmëruara të energjisë elektrike.

Në një reagim të Komunës së Rahovecit thuhet se ndëprerja e ernergjisë po shkakton vështirësi për furnizim me ujë në disa vendbanime.

Kryetari i Komunës së Malishevës shkruante se qytetarët, bizneset dhe mërgimtarët po marrin goditje të rëndë nga ndërprerjet e energjisë elektrike.

Komuna e Rahovecit dhe ajo e Malishevës reagojnë ndaj ndërprerjeve të shpeshta të rrymës