Mali, Afrikë: Xhihadistët islamikë vrasin të paktën 64 persona 

Sulmet nga xhihadistët e dyshuar në një bazë ushtarake dhe një varkë pasagjerësh në lumin Niger në veri të Malit vranë 64 persona, ka deklaruar një zyrtar i autoriteteve të shtetit afrikan të Malit.

Dy sulmet e veçanta të enjten synuan varkën Timbuktu në lumë dhe një pozicion ushtrie në Bamba, në rajonin verior të Gaos, me “një numër të përkohshëm prej 49 civilësh dhe 15 ushtarësh të vrarë”, sipas një deklarate të qeverisë.

Ai nuk specifikoi se sa njerëz vdiqën në secilin sulm, por sulmet u “pretenduan” nga një grup i lidhur me al-Kaedën. Më herët, ushtria e Malit tha në rrjetet sociale se anija u sulmua nga “grupe të armatosura terroriste”.

Anija, që kalonte një rrugë të vendosur midis qyteteve përgjatë lumit, u shënjestrua nga “të paktën tri raketa” që kishin si objektiv motorët e saj, ka thënë operatori Comanav.

Nigeri është një lidhje jetike transporti në një rajon ku infrastruktura rrugore është e varfër dhe hekurudhat mungojnë.

Sulmi vjen pasi një aleancë e lidhur me Al-Kaedën, Grupi Mbështetës për Islamin dhe Myslimanët (GSIM), njoftoi muajin e kaluar se po bllokonte Timbuktun, udhëkryqin historik të qytetit të Malit verior.

Shteti i varfër i Malit po lufton me pasigurinë që nga viti 2012, kur një revoltë e udhëhequr nga tuaregët etnikë shpërtheu në veriun e trazuar. Kryengritja u nxit nga xhihadistët, të cilët tri vjet më vonë filluan fushatën e tyre në Malin qendror, Nigeri dhe Burkina Faso, duke dërguar valë tronditëse në të gjithë Sahelin.

Në Malin verior, rebelimi rajonal u përfundua zyrtarisht me një marrëveshje paqeje të nënshkruar midis rebelëve dhe qeverisë së Malit në vitin 2015. Megjithatë, marrëveshja e brishtë u tensionua pasi qeveria civile u rrëzua në vitin 2020 dhe u zëvendësua nga një juntë uhstarake.

Tensionet në rajon janë rigjallëruar javët e fundit pasi misioni paqeruajtës i OKB-së në Mali, të cilit i është thënë të largohet deri në fund të vitit, ua dorëzoi forcave të armatosura dy baza pranë Timbuktu.

Dorëzimi shkaktoi përleshje midis ushtrisë dhe xhihadistëve dhe çoi në një përballje të zemëruar me ish-rebelët, duke nxitur frikën për prishjen e marrëveshjes së paqes të vitit 2015./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala