Gabon, Afrikë: Udhëheqësi i grushtit të shtetit betohet si president dhe premton zgjedhje 'të lira'

Brice Oligui Nguema, gjenerali që udhëhoqi grushtshtetin javën e kaluar që rrëzoi dinastinë qeverisëse 55-vjeçare të Gabonit, ka bërë betimin si president i përkohshëm dhe ka premtuar “zgjedhje të lira, transparente dhe të besueshme” për ta rivendosur sundimin civil, megjithëse pa dhënë një afat kohor.

Ai gjithashtu u zotua për amnisti për të burgosurit politikë dhe këmbënguli se grushti i shtetit e ka shpëtuar Gabonin nga gjakderdhja pas zgjedhjeve që ishin “qartësisht të ngarkuara”.

Oligui, shefi i gardës republikane, të mërkurën e kaluar udhëhoqi ushtarakët në arrestimin e presidentit, Ali Bongo Ondimba, pasardhës i një familjeje që kishte sunduar vendin e pasur me naftë të Afrikës Qendrore që nga viti 1967.

Përmbysja erdhi disa momente pasi Bongo, 64-vjeçar, u shpall fitues në zgjedhjet presidenciale – një rezultat për të cilin opozita e atjeshme e konsideroi si një mashtrim.

Oligui, 48-vjeçar, i veshur me kostumin e kuq ceremonial të gardës republikane, ka thënë gjithashtu se do ta udhëzojë “qeverinë e ardhshme … të shqyrtojë mënyra për t’i amnistuar të burgosurit e ndërgjegjes” dhe “lehtësimin e kthimit të të gjithë të mërguarve” nga jashtë.

Pas arrestimit të Bongo, udhëheqësit e grushtit të shtetit thanë të mërkurën se i kanë shpërbërë institucionet e vendit, i kanë anuluar rezultatet e zgjedhjeve dhe i kanë mbyllur përkohësisht kufijtë e shtetit.

Vendet e tjera nuk e kanë pranuar Oliguin si liderin legjitim të Gabonit dhe ai përballet me presion për t’i përcaktuar planet e tij për rivendosjen e sundimit civil.

Në fjalimin e tij, Oligui mbrojti grushtin e shtetit, duke thënë se ushtria kishte vepruar për të shpëtuar jetë pas “një procesi zgjedhor që ishte dukshëm i ngarkuar”.

Disa vende dhe organizata perëndimore e kanë kritikuar marrjen e pushtetit nga junta ushtarake duke pranuar se është ndryshe nga të tjerët në kontinent për shkak të shqetësimeve mbi besueshmërinë e vetë votës.

Presidenti tashmë i rrëzuar Bongo kishte kërkuar mandatin e tij të tretë në detyrë pasi erdhi në pushtet në vitin 2009 pas vdekjes së babait të tij, i cili sundoi për më shumë se katër dekada dhe fitoi një reputacion si kleptokrat.

Pamjet në televizionin kombëtar të premten e shfaqnin djalin e presidentit të rrëzuar, Noureddin Bongo Valentin dhe zyrtarë të tjerë të arrestuar përpara valixheve të mbushura me para të gatshme që dyshohet se ishin sekuestruar nga shtëpitë e tyre.

Ushtria i ka akuzuar ata për tradhti, përvetësim, korrupsion dhe falsifikimin e nënshkrimit të presidentit, mes akuzave të tjera./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala