Gabon, Afrikë: oficerët ushtarakë pretendojnë se kanë marrë kontrollin mbi pushtetin 

Një grup oficerësh ushtarakë që pretendojnë sei  përfaqësojnë “forcat e mbrojtjes dhe sigurisë” në shtetin afrikan të Gabon njoftuan të mërkurën se e kanë marrë kontrollin mbi pushtetin, sipas një fjalimi televiziv që qarkullon në mediat sociale.

Njoftimi u bë disa minuta pasi organi zgjedhor i Gabonit njoftoi se presidenti aktual Ali Bongo e kishte fituar mandatin e tretë, duke e zgjeruar sundimin gjysmë shekullor të familjes së tij mbi Gabonin, vendin e pasur me naftë të Afrikës Qendrore prej 2.3 milionë banorësh.

“Në emër të popullit të Gabonit dhe si garantues i mbrojtjes së institucioneve, CTRI [Komiteti për Tranzicionin dhe Rivendosjen e Institucioneve] ka vendosur ta mbrojë paqen duke i dhënë fund regjimit në Gabon,” ka deklaruar një oficer ushtarak në transmetim përmes Gabon24.

Në transmetim, oficeri ushtarak tha se rezultatet e zgjedhjeve do të anulohen dhe kufijtë e vendit do të mbyllen deri në një njoftim të dytë.

“Të gjitha institucionet e republikës janë shpërbërë: në veçanti qeveria, Senati, Asambleja Kombëtare, Gjykata Kushtetuese, Këshilli Ekonomik dhe Social dhe Mjedisor dhe Këshilli Zgjedhor i Gabonit,” tha oficeri.

Ne i bëjmë thirrje popullatës së Gabonit, komuniteteve të vendeve fqinje që jetojnë në Gabon, si dhe diasporës gaboneze, të qëndrojnë të qetë.

Tingujt e fortë të armëve mund të dëgjoheshin në kryeqytetin Libreville, ka thënë një reporter i Reuters, pas paraqitjes në televizion.

Në rast se del i suksesshëm, grushti i shtetit në Gabon do të përfaqësonte të tetin në Afrikën Perëndimore dhe Qendrore që nga viti 2020, raportoi Reuters. Grushtet e shtetit në Mali, Guinea, Burkina Faso, Çad dhe Niger e kanë minuar përparimin demokratik në vitet e fundit.

Së fundmi, junta ushtarake e Nigerit mori kontrollin e vendit të Afrikës Perëndimore në fund të korrikut, duke bërë që Bashkimi Afrikan ta pezullonte anëtarësimin e Nigerit në grupimin e 55 shteteve anëtare. Në fillim të këtij muaji, sundimtari ushtarak i Nigerit propozoi një kthim në demokraci brenda tri viteve, duke thënë se parimet e tranzicionit do të vendoseshin brenda 30 ditëve të ardhshme./CNN

Përgatiti: Nuhi Shala