Lulzim Basha - Foto: Facebook

Lulzim Basha gjobitet dhe i hiqet patenta, theu rregullat e COVID-19

Policia e Durrësit njofton se ka gjobitur dhe i ka hequr patentën kreut të PD-së, Lulzim Basha, dhe disa mbështetësve të Partisë Demokratike të cilët kanë shkelur rregullat e vendosura për distancimin social, raporton a2news.

Kreu i Partisë Demokratike, Basha postoi mëngjesin e së enjtes një takim me disa biznesmenë në zonën e Durrësit në ambientet e një lokali të mbyllur, gjë që është totalisht e ndaluar sipas rregullave të vendosura kundër pandemisë.

Gjithashtu policia ka nisur procedim administrativ dhe për pronarin e lokalit ku u zhvillua aktiviteti.

“Policia e Durrësit ka konstatuar me shqetësim një aktivitet partiak të zhvilluar në mjedisin e mbylluar të një lokali, në kundërshtim me Aktin Normativ, “Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga virusi COVID-19”. Ky aktivitet, që është publikuar gjerësisht sot edhe në media, ka imponuar procedimin administrativ, bazuar mbi Aktin Normativ. Bazuar mbi Aktin Normativ, është marrë masë administrative 1 milionë lekë për pronarin e lokalit, shtetasin A.H.”, thuhet në njoftimin e Policisë së Durrësit.

Njëkohësisht janë ndëshkuar me masë administrative gjobë dhe me tërheqje të lejes së drejtimit shtetasit pjesëmarrës në këtë aktivitet, L. B, F. Xh., A.  M.,  R. G.,  A. B., V. N., E. H., A. B., D. B., J. M. dhe A. H, vijon njoftimi.