Lufta Rusi - Ukrainë / Tubacioni i gazit dhe kablloja e komunikimit që lidh Finlandën dhe Estoninë është dëmtuar qëllimisht

Dëmtimi i gjerë në një tubacion gazi nënujor dhe kabllo komunikimi që e lidh Finlandën dhe Estoninë “nuk mund të ketë ndodhur rastësisht” dhe duket të jetë rezultat i një “veprimi të qëllimshëm… të jashtëm”, thanë autoritetet finlandeze.

Mediat lokale cituan burime të paidentifikuara të qeverisë duke thënë se dyshohet për sabotim rus, ndërsa ekspertët rajonalë të sigurisë thanë se një anije ruse vëzhguese ishte vëzhguar kohët e fundit duke bërë vizita të përsëritura në afërsi të tubacionit Balticconnector.

Ndërkohë, zhvillimet tjera në dhe rreth luftës në Ukrainë, janë si në vijim:

Rafael Grossi, shefi i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, ka thënë se Volodymyr Zelenskiy i kishte premtuar atij se Ukraina nuk do ta sulmonte centralin më të madh bërthamor të Evropës si pjesë e kundërofensive të saj kundër Rusisë. Në një intervistë me Guardian, shefi i mbikëqyrjes bërthamore tha se ai është më i shqetësuar për impiantin bërthamor të Zaporizhzhia që përfshihet në luftimet midis dy palëve, por këmbënguli se kishte marrë një zotim nga presidenti ukrainas.

Rusia është mposhtur në përpjekjen e saj për t’u rikthyer në këshillin e OKB-së për të drejtat e njeriut, me Shqipërinë dhe Bullgarinë që fituan më shumë vota në asamblenë e përgjithshme, e cila votoi vitin e kaluar për pezullimin e Moskës pas pushtimit të saj në Ukrainë.

Gjermania njoftoi një ndihmë ushtarake shtesë prej 1 miliardë eurosh për Ukrainën, në një garë për t’i rritur dërgesat e armëve përpara dimrit. “Pakoja e dimrit” përfshin një sistem shtesë të mbrojtjes ajrore Patriot, si dhe dy sisteme të tjera raketore të mbrojtjes ajrore Iris-T këtë muaj të aftë për mbrojtje me rreze të shkurtër dhe të mesme.

Presidenti ukrainas Zelenskiy bëri thirrje për hapa për të siguruar që Rusia të mos e kthejë Detin e Zi në një “zonë të vdekur” për transportin detar pasi Moska zyrtare u largua nga një marrëveshje që lejon eksporte të sigurta të grurit ukrainas. Në udhëtimin e tij të parë në Rumani që nga pushtimi i Rusisë, Zelenskiy tha pas bisedimeve me homologun e tij, Klaus Iohannis, se kishte dëgjuar “lajme të mira” për furnizimet e artilerisë dhe mbrojtjes ajrore nga vendet anëtare të NATO-s dhe BE-së.

Zelenskiy shprehu gjithashtu shqetësimin e tij se komuniteti ndërkombëtar po largohet nga lufta në Ukrainë përballë “tragjedisë” që i ka ndodhur Izraelit pas sulmeve të Hamasit. “Nuk dua të bëj asnjë krahasim. Në vendin tonë po zhvillohet një luftë e tmerrshme. Në Izrael, shumë njerëz kanë humbur të dashurit e tyre. Këto tragjedi janë të ndryshme, por të dyja janë të mëdha”, tha ai në një intervistë për kanalin televiziv France 2. Ai paralajmëroi, megjithatë, se nëse “vëmendja ndërkombëtare rrezikon të largohet nga Ukraina, kjo do të ketë pasoja”.

Ukraina zyrtare ka thënë të martën se po mban dy zyrtarë të lartë të ministrisë së mbrojtjes me dyshimin për përvetësim të 7 milionë dollarëve të destinuara për blerjen e jelekëve antiplumb. Byroja Shtetërore e Hetimit tha se dy zyrtarët, të cilët nuk i përmendi, kanë porositur “jelekët antiplumb me cilësi të ulët” nga jashtë.

Një gjykatë ruse hodhi poshtë një ankesë të gazetarit të ëall Street Journal Evan Gershkovich kundër zgjatjes së paraburgimit të tij, më shumë se gjashtë muaj pas arrestimit të tij për akuzat për spiunazh. Gjykatësi Yuri Pasyunin në gjykatën e qytetit të Moskës vendosi ta “mbajë paraburgimin pa ndryshime” deri më 30 nëntor, tha një gazetar i Agence-France Presse në gjykatë.

Policia Kombëtare e Ukrainës ka dokumentuar rreth 100,000 krime lufte të kryera nga forcat ruse në Ukrainë. Duke folur për agjencinë e lajmeve Interfax-Ukraine, zyrtarë nga Policia Kombëtare kanë thënë se provat që po mblidhen do ta përbëjnë bazën e përpjekjeve të ardhshme për t’i ndjekur penalisht autorët.

Rusia nuk ka gjasa ta nisë një lëvizje shtesë mobilizimi përpara zgjedhjeve presidenciale vitin e ardhshëm, ka deklaruar Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar. Në përditësimin e saj të përditshëm të inteligjencës, Ministria e Mbrojtjes së Britanisë thotë se Vladimir Putin “pothuajse me siguri” do të kandidojë për rizgjedhje në zgjedhjet e ardhshme, të planifikuara për t’u mbajtur më 17 mars./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala