
Goran Rakiq - Foto: Rtv21
Lista Serbe i shkruan ambasadorëve të QUINT-it, ankohet për vendimet e qeverisë për shpronësime
Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq i ka dërguar letër proteste 5 ambasadorëve të QUINT-it dhe shefave të misioneve të BE-së, UNMIK-ut, OSBE-së si dhe komandantit të KFOR-it për shpronësimin e pronave të disa qytetarëve serb.
Kështu është bërë e ditur në njoftimin e Listës Serbe në Facebook.
“Njoftojmë opinionin se kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, në emër të popullit serb dhe pronarëve të tokave, të cilat po i sekuestrohen nga shpronësimi i paligjshëm i qeverisë së Albin Kurtit, ka dërguar një letër proteste për ambasadorët e SHBA-së, Britanisë së Madhe, Francës, Italisë, Gjermanisë, si dhe shefave të misioneve të BE-së, UNMIK-ut, OSBE-së si dhe komandantit të KFOR-it”- thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit, në këtë letër Lista Serbe pretendon se shpronësimet janë të jashtëligjshme, dhe të njëanshme.
“Letra tregonte qartë shkeljen e të gjitha rregullave ligjore që rregullojnë çështjen e shpronësimit dhe se kjo procedurë është e papranueshme për pronarët e patundshmërive dhe popullin serb që jeton në veri të Kosovës dhe se këto lëvizje të njëanshme janë të kuptueshme si dhunë institucionale dhe shpronësim i tokës serbe”- thuhet në njoftim.
Tutje Lista Serbe ka ftuar “të gjithë që urgjentisht të ndalojnë këto veprime të paligjshme dhe të parandalojnë kërcënimet e mëtejshme të paqes, sigurisë ligjore dhe fizike të popullit tonë nga regjimi i Albin Kurtit”.
Më 16 janar, Qeveria e Kosovës në mbledhjen korresponduese ka marrë vendim për shpalljen me interes të veçantë publik të disa pronave të paluajtshme në komunën e Leposaviqit.
Sipas komunikatës për së ZKM-së, këto prona janë në zonat kadastrale Dren dhe Leshak, komuna e Leposaviqit.
Tutje në komunikatë bëhet e ditur këto prona janë të nevojshme për realizimin e “Projekteve Infrastrukturore për Interes Publik’.
Qeveria merr vendim për shpallje me interes të veçantë disa prona në Leposaviq