Lirohet nga paraburgimi ish-kryeshefi i KEK-ut Nagip Krasniqi
Nagip Krasniqi, ish-kryeshefi i Korportatës Energjetike të Kosovës (KEK) është liruar nga paraburgimi me vendim të Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Këtë për KALLXO.com e ka konfirmuar avokati i tij, Virtyt Ibrahimaga.
Avokati njoftoi se gjykimi i Krasniqit do të vazhdojë në procedurë të rregullt dhe i është vendosur masa e sigurisë që t’i ndalohet afrimi ndaj dëshimtarëve të rastit.
Krasniqi ishte arrestuar më 19 prill, nën dyshimet për tri vepra penale, të keqpërdorimit të pozitës zyrtare, ushtrimit të ndikimit dhe konfliktit të interesit.
Gjykata e Prishtinës më 20 prill të këtij viti kishte caktuar një muaj paraburgim për kryeshefin e KEK-ut, Nagip Krasniqi, i dyshuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Në kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit të datës 20 prill 2023, dyshohet se Nagip Krasniqi prej vitit 2022 ka keqpërdorur pozitën e tij zyrtare në cilësinë e kryeshefit ekzekutiv të KEK-ut.
Sipas dosjes së Prokurorisë, Krasniqi më 26 janar 2023 kishte lidhur kontratë të dëmshme në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik duke shkelur nenin 7, nenin 35 par.3, nenin 35 par. 2.1(iii), dhe nenin 57 par.2 të këtij Ligji, ashtu që duke vepruar me tenderin KEK-23-130-5-1-5, i emërtuar si “Riparimi kapital emergjent i kaldajës blloku A5”, me procedurë të negociuar pa publikimin e njoftimit për kontratë, ka lidhur kontratë me kompaninë Litwin SA, me çmim prej 3,495,392.42 euro, duke ndryshuar kushtet e veçanta të kontratës.
Arrestimi i Krasniqit është bërë me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.
Në njoftim thuhej se Njësia e Veçantë e Hetimeve ka bastisur zyrën e të pandehurit Nagip Krasniqi në Prishtinë, dy banesa në lokacione të ndara në Prishtinë, në pronësi dhe të shfrytëzuara nga i njëjti, me qëllim gjetjen e dëshmive të cilat kanë të bëjnë me veprat penale të lartcekura.
Në mujin gusht, Gjykata e Prishtinës ka marrë vendim në rivendosje që të aprovohet kërkesa e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës që të pandehurit Nagip Krasniqit t’i vazhdohet masa e paraburgimit deri më 20 shtator 2023.
Të gjitha raportimet e tjera lidhur më këtë rast, mund t’i gjeni duke klikuar në LINK.