Foto: Ilustrim
Arrestohet kryeshefi i KEK-ut, dyshohet për tri vepra penale
Policia ka arrestuar kryeshefin e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqin.
Arrestimi i Krasniqit është bërë me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.
Sipas njoftimit të përbashkët të Prokurorisë Speciale dhe Policisë, N.K. është arrestuar për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale: Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar; ushtrimi i ndikimit, dhe konflikti i interesit.
Në njoftim thuhet se, Njësia e Veçantë e Hetimeve po ashtu sot ka bastisur zyrën e të pandehurit N.K. në Prishtinë, dy banesa në lokacione të ndara në Prishtinë, në pronësi dhe të shfrytëzuara nga i njëjti, me qëllim gjetjen e dëshmive të cilat kanë të bëjnë me veprat penale të lartcekura.
Gjatë bastisjes janë sekuestruar dokumente të ndryshme që ndërlidhen me rastin, pajisje elektronike si tre kompjuterë, 1 lap-top, 1 celular, një USB, në cilësi të provave materiale që do të shërbejnë për procedurën e mëtejme.
Me aktvendim të prokurorit të shtetit, i pandehuri me inicialet N.K. është dërguar në mbajtje në kohëzgjatje prej 48 orësh.