Lirohet me dorëzani Urosh Vukashinoviq, i dyshuar për sulm ndaj gazetarëve në veri

Urosh Vukashinoviqit, i dyshuar për sulm ndaj gazetarëve në veri të Kosovës, i cili gjendej në masën e paraburgimit prej një muaji, i është zëvendësuar masa e sigurisë.

Zëvendësimi i masës është bërë nga ajo e paraburgimit në atë lirimin me dorëzani.

KALLXO.com mëson se shuma e dorëzanisë është 15 mijë euro.

Këtë për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës së Mitrovicës, Lumnije Surdulli.

“Me ofrim të dorëzanisë gjyqtari e ka aprovuar, ka marrë vendim dhe e ka liruar, 15 mijë euro është shuma e dorëzanisë”- tha Lumnije Surdulli për KALLXO.com.

Policia e Kosovës kishte  njoftuar se ka arrestuar një të dyshuar për sulmin ndaj gazetarëve në Leposaviq më 16 qershor.

Sipas Policisë, i dyshuari është qytetar i komunitetit serb, i identifikuar me iniciale, U. V.

Autoritetet thanë se arrestimi është kryer në orët e hershme të 19 qershorit në një fshat të Leposaviqit.

“Arrestimi i tij dhe shoqërimi në stacion policor është kryer si rezultat i hetimeve intensive dhe i sigurimit të dëshmive, se i njëjti është përfshirë në sulm ndaj mediave/gazetarëve me datë 16 qershor 2023. Të gjitha veprimet e mëtejme do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë” – u tha në njoftimin e Policisë.

KALLXO.com kishte përcjellë nga afër seancën dëgjimore lidhur me kërkesën e Prokurorisë për caktim të masës së paraburgimit.

Ky është personi i tretë i arrestuar për sulmet ndaj gazetarëve, të cilët raportojnë nga veriu i Kosovës, që kur janë rritur tensionet më 26 maj.

Më 16 qershor, ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, njoftoi se ishte arrestuar Nemanja Vllashkoviq në Leposaviq, për sulmin ndaj gazetarëve të mediumit Kallxo.com më 29 maj.

Një ditë më pas, Sveçla tha se në pikëkalimin kuftiar në Jarinjë – që lidh Kosovën me Serbinë – për sulme ndaj gazetarëve u arrestua edhe Dalibor Spasiq.