Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ligji i pagave, dallime në koeficientet për pagat e vozitësve

Ndonëse kanë të njëjtat detyra, vozitësit nuk do ta kenë pagën e njëjtë në të gjitha institucionet, sipas Ligjit për Pagat në Sektorin Publik.

Vozitësi në Presidencë, Kuvend, Qeveri, në Gjykatën Kushtetuese, në administratën e gjyqësorit, në administratën e prokurorisë, me ligjin e ri për pagat në sektorin publik, pritet të kenë pagën e njëjtë. Koeficienti i pagës që pritet ta kenë vozitësit që punojnë në këto institucione është 3.9, ndërsa vlera e këtij koeficienti ende nuk dihet.

Mirëpo paga për vozitësin në institucionet e pavarura kushtetuese që përfshijnë Institucionin e Avokatit të Popullit, Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Zyrën Kombëtare të Auditimit, si dhe Komisionin e Pavarur për Media pritet të kenë pagë më të ulët. Sipas ligjit, shoferët në këto institucione kanë koeficientin 3.88.

Dallim në pagë do të ketë edhe për vozitësin në Agjenci Ekzekutive dhe në Administratë të Shërbimit Publik, ku koeficienti për këtë pozitë është 3.86.

Ndërsa paga më e vogël do të jetë për vozitësit që punojnë nëpër komuna. Koeficienti i paraparë me Ligjin për Pagat për vozitësin e Komunës do të jetë 3.8.

Vlera e koeficientit përmes të cilit caktohen pagat e zyrtarëve publikë ende nuk dihet zyrtarisht, ndonëse Ligji për Pagat më 5 janar është publikuar në gazetën zyrtare pas dekretimit nga presidentja.

Ky projektligj pritet të hyjë në fuqi një muaj pas publikimit në gazetën zyrtare.

Nga Qeveria e Kosovës në një përgjigje për KALLXO.com ka bërë të ditur se vlera monetare e koeficientit pritet të caktohet gjatë këtij muaji.

“Vlera e koeficientit do të caktohet gjatë këtij muaji, pra gjatë muajit janar, bazuar në tërësinë e koeficienteve të shpërndarë me Ligjin e Pagave”- ka thënë zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.

Ligji për Pagat në sektorin publik është miratuar në lexim të dytë në Kuvendin e Kosovës, më 22 dhjetor 2022.

Më 30 qershor të vitit 2020, Gjykata Kushtetuese e Kosovës e kishte shpallur të pavlefshëm Ligjin për Pagat në Sektorin Publik.

Sipas vendimit, ligji nuk ishte në përputhshmëri me 11 nene të Kushtetutës së Kosovës.

Më 6 dhjetor 2019, Ligjin për Paga në Gjykatën Kushtetuese e kishte dërguar Avokati i Popullit për vlerësimin e përputhshmërisë së tij me Kushtetutën. Ligji për paga ishte miratuar në muajin shkurt të atij viti.

Ligji ishte miratuar nga Qeveria e Kosovës, e cila drejtohej nga Ramush Haradinaj.