
Euro, foto: Pixabay
Paga e anëtarëve të shërbimit të jashtëm me koeficientin e ri në raport me kompensimet sipas ligjit
Qeveria e Kosovës ka publikuar të mërkurën vlerën e koeficientit për pagat në sektorin publik në vend. Siç njoftoi shefi i ekzekutivit Albin Kurti, ai do të jetë 105 euro në vitin 2023 dhe 110 në 2024.
Sipas ligjit të ri, koeficienti i anëtarëve të shërbimit të jashtëm, pjesë e të cilëve janë ambasadorët, ministrat në mision diplomatik, konsulentët e atashetë, numri i koeficientit sillet nga 12.8 deri në 5.8.
Koeficienti për pozitën e ambasadorit do të jetë 12.8 që i bie se paga e tij të jetë 1 mijë e 344 euro në vitin 2023. Ministri në Mision Diplomatik ka koeficientin 10.4 ndërsa paga e tij këtë vit do të jetë 1 mijë e 92 euro.
Konsulli e ka koeficientin 7.6 kurse pagën 798 euro, zëvendës konsulli e ka koeficientin 7.2 dhe do të paguhet me pagë 756 euro, ndërsa agjenti Konsullor 5.8 e ka koeficientin dhe do të paguhet 609 euro. Të njëjtën pagë dhe koeficient ka edhe atasheu.
Sipas Ligjit për pagat në sektorin publik anëtaret/ët e shërbimit të jashtëm, që ushtrojnë detyrën jashtë vendit, gëzojnë të drejtën në mbulimin e shpenzimeve dhe kompensimeve në përputhje me planifikimin buxhetor të misionit ku veprojnë.
Në nenin 39 të këtij ligji thuhet se për këto pozita bëhet mbulimi i parallogaritur i shpenzimeve për kosto jetese sipas vendit ku ushtrohet veprimtaria.
“Kompensimi për banim, sigurim të banesës dhe shërbime komunale; kompensimi i pjesshëm për shpenzimet e arsimit parashkollor, fillor dhe të mesëm për fëmijët e diplomates/it, atëherë kur është e nevojshme dhe sipas mundësive buxhetore të ministrisë përgjegjëse për punët e jashtme; kompensimi për zhvendosje të gjësendeve familjare; kompensimi për udhëtimet nga Kosova në shtetin pranues dhe anasjelltas; kompensimi për sigurimin shëndetësor”- janë disa nga kompensimet sipas nenit 39 të ligjit për paga.
Ndërkaq sipas paragrafit 3 të këtij ligji, paga bazë dhe kosto e jetesës përbëjnë pagën mujore të anëtares/it të shërbimit të jashtëm për punën në shtetin ku shërben.
Kryetarja e komisionit për Integrim Evropian, Rrezarta Krasniqi vlerëson se koeficienti i pagës të cilin e ka përcaktuarf Qeveria, nuk i plotëson nevojat e punonjësve publik, në këtë rast të atyre që janë ngarkuar me punë në diplomaci.
Sipas Krasniqit, për ambasadorët nuk ka pasur ngritje e cila merr për bazë inflacionin.
“Koeficienti i pagës të cilin e ka përcaktuar Qeveria Kurti nuk i plotëson nevojat e punonjësve publik në përgjithësi, e veçanërisht atyre që janë ngarkuar me punë në diplomaci, në rastin konkret ambasadorët sepse nuk ka pasur ngritje e cila e merr për bazë inflacionin rekord që e kemi patur në vend”- është shprehur Krasniqi për KALLXO.com.
Krasniqi thotë se zgjidhja është që koeficienti të jetë 125.
“Propozimi i LDK-së është i duhur sepse merr 120 milionë shtesë, shumë më pak se që ka shpenzuar Qeveria në pako që nuk kanë lënë as edhe një shenjë në përballjen me inflacionin. Propozimi ynë është i denjë sepse krijon paga të dinjitetshme si asnjëherë më parë në vend. E për t’u realizuar kjo, zgjidhja është e qartë koeficienti duhet të jetë 125”- tha ajo.
Ligji për Pagat në sektorin publik është miratuar në lexim të dytë në Kuvendin e Kosovës, me 22 dhjetor 2022. Ndërsa, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka dekretuar më 5 janar Ligjin për Pagat në Sektorin Publik.
Projektligji i cili ka nxitur reagime tash e sa muaj, më 22 dhjetor 2022, ka marrë mbështetjen e shumicës së deputetëve, pro të cilit kanë votuar 63 deputetë.
Në votimin e dytë të Projektligjit për paga, deputetët e tri partive opozitare PDK, LDK dhe AAK nuk morën pjesë ndonëse ishin të pranishëm në sallën e parlamentit. Kritikat e tyre, lidheshin kryesisht me mos caktimin e vlerës së koeficientit.