Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kryetari i Gjykatës Kushtetuese pagën më të lartë se kryeministri e kryeparlamentari

Pozita e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese pritet të jetë pozita e dytë më e paguar në vend.

Ligji për Pagat në Sektor Publik ka paraparë që kjo pozitë të ketë koeficientin 17.5, i dyti më i larti pas pagës së presidentes e cila ka koeficientin 18.

Kryetari i Gjykatës Kushtetuese në Kosovë do të ketë pagë më të madhe edhe sesa kryetari i Kuvendit dhe kryeministri i vendit të cilët kanë koeficientin 17.

Aktualisht paga e presidentes është 2,700 euro, ndërsa për kryetarin e Kuvendit dhe Kryetarin e Gjykatës Kushtetuese nuk është publike.

Vlera e koeficientit përmes të cilit caktohen pagat e zyrtarëve publikë ende nuk dihet zyrtarisht, ndonëse Ligji për Pagat dje është publikuar në gazetën zyrtare pas dekretimit nga presidentja.

Ky projektligj pritet të hy në fuqi një muaj pas publikimit në gazetën zyrtare.

Nga Qeveria e Kosovës në një përgjigje për KALLXO.com ka bërë të ditur se vlera monetare e koeficientit pritet të caktohet gjatë këtij muaji.

“Vlera e koeficientit do të caktohet gjatë këtij muaji, pra gjatë muajit janar, bazuar në tërësinë e koeficienteve të shpërndarë me Ligjin e Pagave.”- ka thënë zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.

Ligji për Pagat në sektorin publik është miratuar në lexim të dytë në Kuvendin e Kosovës, me 22 dhjetor 2022.

Më 30 qershor të vitit 2020, Gjykata Kushtetuese e Kosovës e kishte shpallur të pavlefshëm Ligjin për Pagat në Sektorin Publik.

Sipas vendimit, ligji nuk ishte në përputhshmëri me 11 nene të Kushtetutës së Kosovës.

Më 6 dhjetor 2019, Ligjin për Paga në Gjykatën Kushtetuese e kishte dërguar Avokati i Popullit për vlerësimin e përputhshmërisë së tij me Kushtetutën. Ligji për paga ishte miratuar në muajin shkurt të atij viti.

Ligji ishte miratuar nga Qeveria e Kosovës, e cila drejtohej nga Ramush Haradinaj.