Dallimet dhe ngjashmëritë e koeficientëve të zyrtarëve të FSK-së dhe Policisë sipas Ligjit të pagave

Koeficientët e pagave të pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe atyre të Policisë së Kosovës nuk do të jenë të njëjta për të gjitha pozitat dhe gradat sipas Ligjit për Pagat në Sektorin Publik.

Koeficienti më i lartë që është ndarë për të dyja organet e sigurisë është 15, e që i takon Komandantit të Forcës së Kosovës. Pas komandantit, me koeficient 14.5 vjen pozita e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës dhe e Gjenerallejtnant në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Përderisa koeficientët më të ulët në të dyja institucionet do të kenë Kadetët. Një Rekrut apo Kadet i FSK-së do të ketë një pagë të njëjtë si një Kadet policor pasi për të dyja palët koeficienti është i njëjtë, saktësisht 2.

Mirëpo, dallim është bërë në mes një Ushtari dhe një Polici, ku ky i pari, sipas Ligjit për Paga ka koeficientin 5.6, ndërsa Polici e ka vetëm 5.

Pozita e një Polici dallon me atë të një Polici të Ri, që ka koeficientin 4.5, e pos ashtu pozita e Ushtarit dallon me atë të Ushtarit të Klasit të Parë, që e ka koeficientin 5.8, pra 0.8 më shumë se ajo e Ushtarit.

Para pozitës së Policit, shtojca numër pesë e Ligjit për Paga në Sektorin Publik tregon se paga e Policit të Lartë do të ketë koeficientin 5.9.

Rreshterët policorë dhe rreshterët e Forcës së Sigurisë së vendit nuk do të paguhen njëjtë sipas këtij ligji.

Në FSK janë pesë grada të rreshterëve, përderisa në PK është vetëm një, i cili do të ketë koeficientin 6.4.

Kurse, rreshteri i FSK-së e ka koeficientin 0.2 më shumë, pra 6.6.

FSK ka edhe katër grada të rreshterëve, ai Shtabor me koeficient 7, Rreshteri i Klasit të Parë me koeficient 7.4, Rreshteri i Parë ose Rreshter Master me koeficient 8.2 dhe Rreshter Major, Rreshter Major i Komandës ose Rreshter i FSK-së me koeficient 9.

Në mes gradës së Rreshterit e të Ushtarit të Klasit të Parë në FSK, është edhe pozita e Tetar/Specialist, koeficienti i të cilit na bazë të ligjit do të jetë 6.1.

Pozita e togerit në FSK do të jetë 1.2 koeficient më e lartë sesa e togerit në Policinë e Kosovës. Këtij të parit muaji do t’i paguhet sipas koeficietit 8.2, ndërsa i dyti do të ketë koeficientin 7, përderisa Nëntogeri i Forcës tregohet se e ka koeficientin 7.4.

Dallimi në mes Kapitenit policor dhe Kapitenit ushtarak është 1.6 koeficient. Zyrtari policor që ushtron pozitën e kapitenit do të marrë pagën mujore në bazë të koeficientit 7.4, ndërsa kapiteni i FSK-së do ta ketë koeficientin 9.

Dallime në koeficientë janë vërejtur edhe në mes pozitave të Kolonelit, Nënkolonelit dhe Majorit policor e atij ushtarak.

Sipas renditjes së mësipërme koeficientet për zyrtarët e Policisë do të jenë kështu; Koloneli 10.2, Nënkoloneli 9.2 dhe Majori 8.2.

Ndërsa, për zyrtarët e Forcës së Sigurisë parashihen këta koeficientë: Koloneli 12, Nënkoloneli 11 dhe Majori 10.

Ligji ka përcaktuar koeficientet edhe për udhëheqësit e PK-së, ku Zëvendësdrejtori i Policisë ka koeficientin 12.8, ndërsa Drejtori i Departamentit në Polici ka koeficientin 11.2.

Në anën tjetër, Gjeneralmajori dhe Gjeneral brigade në FSK do të kenë këta koeficientë, i pari 14 ndërsa i dyti 13.

Vlera e koeficientit përmes të cilit caktohen pagat e zyrtarëve publikë ende nuk dihet zyrtarisht, ndonëse Ligji për Pagat më 5 janar është publikuar në gazetën zyrtare pas dekretimit nga presidentja.

Ky projektligj pritet të hyjë në fuqi një muaj pas publikimit në gazetën zyrtare.

Nga Qeveria e Kosovës në një përgjigje për KALLXO.com ka bërë të ditur se vlera monetare e koeficientit pritet të caktohet gjatë këtij muaji.

“Vlera e koeficientit do të caktohet gjatë këtij muaji, pra gjatë muajit janar, bazuar në tërësinë e koeficienteve të shpërndarë me Ligjin e Pagave”- ka thënë zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.

Ligji për Pagat në sektorin publik është miratuar në lexim të dytë në Kuvendin e Kosovës, më 22 dhjetor 2022.

Më 30 qershor të vitit 2020, Gjykata Kushtetuese e Kosovës e kishte shpallur të pavlefshëm Ligjin për Pagat në Sektorin Publik.

Sipas vendimit, ligji nuk ishte në përputhshmëri me 11 nene të Kushtetutës së Kosovës.

Më 6 dhjetor 2019, Ligjin për Paga në Gjykatën Kushtetuese e kishte dërguar Avokati i Popullit për vlerësimin e përputhshmërisë së tij me Kushtetutën. Ligji për paga ishte miratuar në muajin shkurt të atij viti.

Ligji ishte miratuar nga Qeveria e Kosovës, e cila drejtohej nga Ramush Haradinaj.