Kushtetuesja vendos për Ligjin për pagat në sektorin publik pas kërkesës së Avokatit të Popullit

Gjykata Kushtetuese ka vendosur lidhur me kërkesën e Avokatit të Popullit që ka të bëjë me kushtetutshmërinë e Ligjit për pagat në sektorin publik.

Këtë kërkesë, Kushtetuesja e ka vlerësuar si të pranueshme njëzëri, duke theksuar se ky Ligj i miratuar është në kundërshtim me Kushtetutën dhe Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut.

Sipas dosjes së kësaj Gjykate, ky Ligj është në mospërputhje me nenin 4 të Kushtetutës që ka të bëjë me format e qeverisjes dhe ndarjen e pushtetit, nenin 46 që ka të bëjë me mbrojtjen e pronës, nenit 7 që ka të bëjë me vlerat, dhe nenin 24 – barazia para ligjit.

Përveç mospërputhjes me Kushtetutën, Gjykata ka vlerësuar se Ligji në fjalë nuk është në harmoni as me Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut në nenet që kanë të bëjnë me mbrojtjen e pronës, ndalimin e përgjithshëm të diskriminimit dhe shtesat tranzitore.

Avokati i Popullit kishte kërkuar nga Gjykata që vlerësimit të kushtetutshmërisë së Ligjit të kontestuar t’i nënshtrohet vetëm pjesa me efekt në zbritje të pagave dhe jo ajo në ndërlidhje me kategorinë që u janë ngritur pagat, sepse të drejtat e këtyre të fundit, nuk janë cenuar përmes Ligjit të kontestuar.

Në këtë insitucion ishin paraqitur 104 ankesa nga funksionarë, zyrtarë, nënpunës, organizata e asociacione me pretendime për shkelje të  të drejtave dhe lirive themelore.

Pretendimet e Avokatit të Popullit ishin kundërshtuar nga Qeveria përmes MPB-së.

Kjo e fundit, sipas sqarimeve të dhëna në aktgjykim, thekson që qëllimi i Ligjit të kontestuar është “harmonizimi i pagave në sektorin publik” dhe për më tepër, që i njëjti nuk ka prodhuar efektin e zbritjes së nivelit të pagave në sektorin publik, thuhet në dosjen e Gjykatës Kushtetuese.

Ky aktgjykim i Gjykatës Kushtetuese hyn në fuqi më 1 shkurt të vitit 2024.

Efektet juridike të këtij aktgjykimi kanë të bëjnë me obligimin që Kuvendi brenda 6 muajsh nga hyrja në fuqi, të ndërmarrë veprime të nevojshme lidhur me plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit të kontestuar.

Pikat të cilat duhet të ndryshohen/plotësohen janë nenet që kanë të bëjë me fushëveprimin, me shtesat, për shtesat për kushtet e tregut të punës, shtesat e performancës, për vëllimin e punës, dhe përcaktimin e ekuivalencës.

Këto janë nenet të cilat Kushtetuesja obligon Kuvendin t’i harmonizojë me Kushtetutën.

Njoftimin e plotë për vendimin mund ta gjeni këtu.