LDK: Vizita e Kurtit në SHBA, pa agjendë dhe e papërgatitur

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e ka vlerësuar si të papërgatitur mirë, pa agjendë dhe të tejzgjatur vizitën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Nënkryetarja e kësaj partie, Shqipe Mjekiqi, në një konferencë për media ka thënë se kjo vizitë e Kurtit u përmbyll pa asnjë takim me zyrtarët e lartë të SHBA-së.

“Mungesa e takimeve të nivelit të lartë në Shtëpinë e Bardhë dhe në Departamentin e Shtetit, dy institucione ku ndërtohet politika e jashtme e SHBA-ve, shpërfaq pafuqinë e kryeministrit Kurti, për t’i hapur dyert në nivelet më të larta të politikbërjes madje në kohë të rëndësisë së madhe shkaku i tronditjeve të vendit e sigurisë evropiane e botërore në kohën e agresionit rus”, tha ajo.

Sipas Mjekiqit kjo vizitë zbeh peshën e vizitave institucionale që kanë pasur krerët e Kosovës.

“Shëtitja 18-ditore e Kurtit në SHBA në kohë të këtyre tronditjeve të sigurisë globale e evropiane dhe në kohë krize ekonomike në vend zbeh peshën e vizitave institucionale që ka pasur Kosova çdoherë. Jo çdo takim në të kaluarën pranë SHBA ka dhënë rezultate por kjo qeveri nuk ka arritur të sigurojë as edhe vetë takimet”, tha ajo.

Edhe anëtari i kryesisë së LDK-së, Muhamet Hamit vlerësoi se vizita e Kurtit në SHBA ishte e papërgatitur.

“Kjo vizitë ishte e papërgatitur mirë, pa ndonjë agjendë të publikuar më herët siç ndodh zakonisht, nga ajo çka pamë ditëve të kaluara ishin takime ad-hock pa ndonjë strategji të mirëfilltë”, tha ai.

Sipas Hamitit ‘dinamika e zhvillimeve sot nuk lejon që kryeministri i vendit të shkojë pa agjendë të akorduar e përgatitur mirë me administratën mikpritëse’.

“Nëse qëllimi kryesor i vizitës maratonike e shëtitjes së Kurtit në SHBA ka qenë diplomacia ekonomike, kjo nuk është bërë në mënyrën e duhur dhe nuk mund të zëvendësojë domosdoshmërinë e takimeve në nivelin e lartë politikë”, theksoi ai.

Tutje Hamiti kritikoi edhe mungesën e përfaqësuesve të biznesit të vendit në këtë vizitë.

“Kryeministri Kurti tregon se është i vetëmjaftueshëm se nuk ka nevojë për konsultime, as strategji, kur i qaset kompanive të huaja. Ndoshta, planifikimi i mirë i një konference investimesh në Kosovë që do të mund të zhvillohet në SHBA për dy ditë do të mund të ishte një mënyrë më e mirë e përdorimit të resurseve njerëzore dhe qeveritare të Kosovës për promovimin e zhvillimit ekonomik të vendit tonë”, tha ai.

Që nga data 6 maj deri më 22 maj, kryeministri Albin Kurti ka qëndruar në vizitë në SHBA.

Komunikatat e Qeverisë tregojnë se Kurti ka vizituar kompani si ‘Microsoft’, ‘Uber’, ‘Linkedln’, ‘Matter’ të cilat i ka ftuar që ta shohin Kosovën si treg për investimet e tyre.

Ndonëse nuk e takoi presidentin e SHBA-së, Joe Biden, Zëvendëspresidenten Kamala Harris ose edhe Sekretarin Amerikan të Shtetit, Antony Blinken, i pari i Qeverisë arriti të takonte këshilltarin e Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jake Sullivan, kongresistë dhe senatorë të ndryshëm.

Kryeministri Kurti ka udhëtuar për vizitë zyrtare në SHBA