LDK: Dënojmë sulmet e grupeve kriminale ndaj KFOR-it, gazetarëve dhe institucioneve të Kosovës

Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar në lidhje me tensionet në veri të vendit.

LDK deklaron se dënojnë ashpër sulmet e grupeve kriminale ndaj forcave të KFOR-it, gazetarëve dhe objekteve të institucioneve të Kosovës teksa shtojnë se sulme të tilla nuk kanë vend në shtetet demokratike.

“Lidhja Demokratike e Kosovës dënon ashpër sulmet e grupeve kriminale ndaj forcave të KFOR-it, gazetarëve dhe objekteve të institucioneve të Republikës së Kosovës në veri të vendit. Sulmet e tilla të dhunshme dhe të paprovokuara nuk kanë vend në shtetet demokratike dhe duhet të ndalen menjëherë”- deklaron LDK.

Sipas LDK-së, veprimet e matura politike janë të domosdoshme për të evituar çfarëdo përshkallëzimi të mëtutjeshëm të situatës e deri në shtensionimin e plotë të gjendjes.

“Veprimet e matura politike janë të domosdoshme për të evituar çfarëdo përshkallëzimi të mëtutjeshëm të situatës e deri në shtensionimin e plotë të gjendjes, teksa institucionet e rendit dhe ligjit të sjellin të gjithë kryerësit e sulmeve të tilla para drejtësisë”- thuhet në reagim.

Me tej Lidhja Demokratike ka theksuar se koordinimi me ndërkombëtarët është jetik.

“Koordinimi me miqtë tonë ndërkombëtarë është jetik. Institucionet e Republikës së Kosovës duhet të sigurohen që asnjë veprim i mëtutjeshëm të mos bëhet pa koordinim të ngushtë me ta. Çdo moskoordinim mund t’i kushtoj pozicionit tonë politik dhe demokratik për paqe dhe stabilitet brenda dhe jashtë vendit”- shprehet LDK-ja.

Gjithashtu, LDK u ka bërë thirrje të gjithë gazetarëve për vigjilencë të plotë dhe bashkëveprim në përputhje me të gjitha udhëzimet e forcave të rendit derisa vazhdon t’i përcjellë këto zhvillime me shumë shqetësim.

Pesë persona janë arrestuar nga Policia e Kosovës pasi të njëjtit kanë përdorur sulme dhe dhunë ndaj zyrtarëve të KFOR-it pas tensionimit të situatës në veri.

Zhvillimet e fundit në veri mund t’i gjeni në këtë LINK.