Lansohet masa për punësimin e viktimave të dhunës në familje

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiun dhe ministrin e Financave, Hekuran Murati, kanë takuar përfaqësues të organeve ligjvënëse, strehimoreve, Qendrave për Punë Sociale dhe organizatave ndërkombëtare të cilat operojnë në Kosovë.

Në këtë takim u prezantua një veçori e re e Skemës “Qeveria për Familjet” e cila ka për qëllim punësimin e viktimave të dhunës në familje.

Sipas një komunikate për media, punësimi realizohet përmes subvencionimit të 70 për qind të pagës bruto të të punësuarave për gjashtë muaj me radhë.

“Në lansimin e kësaj nisme kryeministri Kurti vendosi theks të veçantë tek suksesi i skemës ‘Qeveria për Familjet’ përmes së cilës 2,377 familje të cilat nuk kishin asnjë të punësuar tashmë kanë së paku një të punësuar. Kurti gjithashtu përmendi punën e Qeverisë në përkrahjen e grave gjatë pandemisë ku ndër të tjera shprehu se qeveria ka përkrahur punësimin dhe vetëpunësimin e grave në një kohë izolimi dhe pasigurie”- thuhet në komunikatë.

Kurse ministrja Haxhiu theksoi se nisma për punësimin e të mbijetuarave të dhunës ka për synim fuqizimin ekonomik të grave, sidomos atyre të cilat detyrohen të qëndrojnë në vendbanimet ku ka ndodhur dhuna.

“Ministria e Drejtësisë ka databazën e këtyre grave dhe këto të dhëna do të shërbejnë përgjatë zbatimit të masës”- ka thënë ajo.

Ndërsa, ministri Murati shprehu se punësimi i grave viktima të dhunës do të bëhet në atë mënyrë që ta ruajë konfidencialitetin dhe integritetin e grave.

Gjithashtu, Murati deklaroi se përveç integrimit në tregun e punës, të mbijetuarat e dhunës do të prioritizohen nëpër Qendrat e Aftësimit Profesional ashtu që të trajnohen profesionalisht dhe të jenë sa më të gatshme për tregun e punës.