Lajçak tregon detaje nga takimi që zhvilloi me zëvendëskryeministrin Bislimi

Emisari i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka thënë se në takimin me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi, të zhvilluar sonte në Prishtinë, kanë diskutuar për nevojën e zbatimit të Marrëveshjes për normalizim pa kushte dhe vonesa.

Lajçak ka thënë se janë dakorduar për hapat e ardhshëm por nuk ka treguar se cilët janë ata.

“Sapo u takova me zëvendëskryeministrin e parë Besnik Bislimi për të përcjellë takimin e fundit me liderët europianë në Bruksel dhe nevojën për zbatimin e plotë të Marrëveshjes për rrugën e normalizimit pa vonesa dhe parakushte. Ne ramë dakord edhe për hapat e ardhshëm”- ka shkruar ai.

Lajçak ka ardhur sot në Kosovë.

Ai nesër do të zhvillojë takime edhe me liderët e opozitës.

Vizita e emisarit Lajçak në Kosovë vjen dhjetë ditë pas takimeve të fundit në Bruksel më 26 tetor, kur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, u pritën ndaras në takim nga krerët e Gjermanisë, Francës, Italisë por edhe përfaqësues të lartë të BE-së.

Pas takimit, Kurti kishte deklaruar se ishte i gatshëm për ta nënshkruar propozimin që i ishte dorëzuar më 21 tetor nga pesëshja e madhe, që përfshinte një draft-statut të vetëmenaxhimit.

Zv.kryeministri Bislimi do të takohet sonte me të dërguarin e BE-së, Mirosllav Lajçak