Foto: Miroslav Lajçak, X

Zv.kryeministri Bislimi do të takohet sonte me të dërguarin e BE-së, Mirosllav Lajçak

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi sonte pritet ta takojë emisarin e Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar këshilltari i Bislimit, Klisman Kadiu, i cili tha se për detajet mbi takimin do të ketë një komunikatë për media pas përfundimit të tij.

“Zëvendëskryeministri Bislimi do ta takojë sonte z. Lajcak. Për detajet mbi takimin do të ketë një komunikatë për media pas përfundimit të tij”- ka thënë Kadiu për KALLXO.com.

Ende nuk është konfirmuar nëse Lajçak do të takohet edhe me kryeministrin Albin Kurti, edhe pasi KALLXO.com ka kontaktuar me Zyrën e Kryeministrit për të kuptuar nëse do të ketë një takim, mirëpo deri në publikimin e këtij teksti nuk janë përgjigjur.

Në anën tjetër, Lajçak nesër pritet të zhvillojë takim me kryetarët e partive opozitare në Kosovë, Memli Krasniqin e PDK-së, Lumir Abdixhikun e LDK-së dhe Ramush Haradinajn e AAK-së.

KALLXO.com mëson se takimi mes emisarit të BE-së dhe liderëve të opozitës do të zhvillohet nesër në mëngjes në zyrat e BE-së në Prishtinë.

Vizita e emisarit Lajçak në Kosovë vjen dhjetë ditë pas takimeve të fundit në Bruksel më 26 tetor.

Në ato takime, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, u pritën ndaras në takim nga krerët e Gjermanisë, Francës, Italisë por edhe përfaqësues të lartë të BE-së.

Pas takimit, ai deklaroi se ishte i gatshëm për ta nënshkruar propozimin që i ishte dorëzuar më 21 tetor nga pesëshja e madhe, që përfshinte një draft-statut të vetëmenaxhimit.

“Pavarësisht ofertës sime, Serbia refuzoi të nënshkruajë marrëveshjen dhe draftin e 21 tetorit. Përkundrazi, ajo kërkoi një letër anësore që do të anulonte 3 parime të marrëveshjes dhe propozimin e 21 tetorit. Pranimi do të thotë nënshkrim, dhe nënshkrimi garanton pranimin dhe zbatimin”- ka thënë Kurti.

Një ditë pas këtij takimi, Kurti para gazetarëve theksoi se drafti për vetëmenaxhimin, i paraqitur nga emisarët europianë e amerikanë, do të kontrollohej menjëherë nga Gjykata Kushtetuese për ta vlerësuar kushtetutshmërinë, nëse do të nënshkruhej në Bruksel.

Ai u shpreh se drafti është shkruar me kujdes ndaj strukturës së Kushtetutës, teksa shtoi se Kosova është e përkushtuar për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe njohje reciproke.

Lajçak me vizitë në Kosovë, nesër takon liderët opozitarë