Lajçak takon emisarët Escobar, Bonne, Plotner dhe Talo, diskutojnë për dialogun dhe veriun e Kosovës

Emisari i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka zhvilluar një takim me këshilltarët për politikë të jashtme dhe siguri të Francës, Emmanuel Bonne, të Gjermanisë, Jens Plotner, të Italisë, Francesco Talo si dhe të dërguarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Përmes një postimi në platformën X, Lajçak ka thënë se kanë diskutuar për situatën në veri dhe dialogun.

“Konsultime intensive dhe shumë thelbësore me kryekëshilltarët diplomatikë Bonne, Plötner, Talo dhe Escobar. Diskutuam hapat e ardhshëm në zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit dhe situatën në veri të Kosovës. Faleminderit për mbështetjen e plotë”- ka shkruar ai.

Pjesëtari i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, u vra, një tjetër u plagos dhe një tjetër u lëndua, pas një sulmi nga persona të armatosur në Banjskë të Zveçanit, rreth orës 3 të mëngjesit të së dielës.

Policia e Kosovës kishte rrethuar të dyshuarit, rreth 30 persona – pjesëtarë të grupit të armatosur terrorist që gjendeshin në manastirin e Banjskës, derisa sulmet ndaj njësiteve policore vazhduan edhe në mbrëmje.

Organet e rendit konfirmuan se tre sulmues janë vrarë dhe gjashtë të tjerë janë arrestuar, dy prej tyre të uniformuar dhe katër të tjerë që ndihmonin në operacion përmes radiolidhjeve.
Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Europian, Josep Borrell, ka dënuar ashpër sulmin ndaj Policisë së Kosovës, duke e quajtur “sulm të tmerrshëm dhe frikacak terrorist kundër policëve të Policisë së Kosovës”.