Spitali i Gjilanit

Suspendim me 50% të pagës për kirurgun që u arrestua në Gjilan

Kirurgu që u arrestua nën dyshimin se sulmoi fizikisht kolegun e tij është suspenduar për tre muaj me 50 për qind të pagesës.

Kjo masë e përkohshme është vendosur nga Komisioni Disiplinor i Spitalit të Gjilanit me procedurë të shpejtë, deri në kompletimin e dokumentacionit të plotë në lidhje me rastin.

Kështu konfirmoi për KALLXO.com, drejtori i Spitalit të Gjilanit, Arsim Emini.

Drejtori tha se në bazë të Ligjit për Zyrtarët Publik, me shkeljet e rënda merret Komisioni Disiplinor.

Prokuroria e Gjilanit ka dërguar në mbajtje kirurgun Luan Mustafa, i cili dyshohet se gjatë ditës së djeshme kishte sulmuar fizikisht kolegun e tij A. M., derisa ky i fundit ishte në zyrën e tij në Repartin e Kirurgjisë.

Për këtë sulm, i dëmtuari ka pranuar tretman mjekësor.

“Referuar pyetjeve tuaja, ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Gjilan, e ka ndaluar të dyshuarin L. M., në kohëzgjatje prej 48 orëve, për shkak të dyshimit se në Spitalin e Gjilanit ka kryer veprën penale – Lëndimi i lehtë trupor” – thuhet në përgjigjen e Prokurorisë për Kallxo.com.

Kjo prokurori ka njoftuar se brenda afatit ligjor do të vendosë lidhur me masën për sigurimin e të pandehurit në procedurë penale.

Rasti është duke u trajtuar si “lëndim i lehtë trupor”.

Nga të dhënat e policisë mësohet se i dyshuari ishte larguar nga vendi i ngjarjes, kurse pas arrestimit është dërguar në mbajtje prej 48 orësh, kurse lidhur me rrethanat e rastit policia është në hetime.

Rrahje mes kolegëve në Spitalin e Gjilanit, dërgohet në mbajtje kirurgu