Kuvendi nuk ka kuorum për ta votuar në parim Projektligjin për të drejtën ndërkombëtare private

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Tahiri, ka prezantuar shqyrtimin e parë të Projektligjit për të drejtën ndërkombëtare private.

Për këtë Projektligj diskutimi u zhvillua në Kuvend, ndërsa nuk kishte kuorum për vendimmarrje.

Tahiri në mungesë të ministrit të Drejtësisë, Selim Selimi, e ka paraqitur Projektligjin duke thënë se ai e sjell Kosovën në hap me trendet më të reja në këtë fushë.

“Ky Projektligj do të sjellë Kosovën në hap me trendet më të reja në këtë fushë dhe në të njëjtën kohë është në përputhje të plotë me rregulloret kryesore që burojnë nga obligimet që vijnë nga BE”, tha Tahiri duke shtuar se ky projektligj bazohet në aktet moderne.

Tahiri tha se ky Projektligj parasheh rregulla dhe parime të përgjithshme si Kosova do të rregullojë të drejtën e huaj.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, tha se pas rënies së Qeverisë Kurti, ministri Selimi kishte hequr parimin e reciprocitetit dhe kishte vendosur që për adaptimin të zbatohet vetëm e drejta e adaptuesit.

Basha kishte një kërkesë për ministrin Selimi në mënyrë që ta përkrahin këtë Projektligj.

“Nëse ministri vendos që ta kthejë parimin e reciprocitetit dhe ta rregullojë problemin te neni 52 që flet për adaptimin jemi të motivuar që të punojmë në vërejtjet e tjera që kemi. Në këtë formë LVV nuk e përkrah”, tha ai.

Evgjeni Thaçi Dragusha, deputete e PDK-së, tha se ky Projektligj e rregullon njërën nga fushat më të rëndësishme të drejtësisë. Ajo tha se do ta përkrahin në parim këtë Projektligj.

“Duke e parë rëndësinë e këtij Projektligji ne do ta përkrahim në parim”, tha ajo.

Teuta Haxhiu nga AAK dhe Endrit Shala nga Nisma-AKR, e dhanë mbështetjen e tyre për këtë pikë.

Ndërsa, zëvendëskryeministri Tahiri e ka sqaruar çështjen e ngritur nga deputeti Basha.

“Basha e ngriti një çështje që për këtë ligj ka qenë debat goxha i thellë e që lidhen me fjalën reciprocitet. Ajo çka ka ndodhur në ligj është që fjala reciprocitet është ndërruar në nenin 161 me atë që quhet parimi i pasqyrimit. Në bazë të këtij parimi Kosova ka të drejtë të refuzojë njohjen dhe ekzekutimin e një vendimi të huaj nëse ai vendim nuk do të ishte në të mirë të vendit dhe në funksion të qëllimit”, tha Tahiri.

Për këtë pikë nuk kishte deputetë të mjaftueshëm për të votuar.