Kuvendi diskuton formimin e një komisioni hetimor lidhur me menaxhimin e krizës energjetike

Kuvendi i Kosovës është duke diskutuar për themelimin e një komisionit hetimor parlametnar për menaxhimin e krizës energjetike nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Ky propozim erdhi nga Partia Demokratike e Kosovës.

Kryetari i grupit parlamentar nga Partia Demokratike e Kosovës, Abelard Tahiri tha se ngritja e një komisioni të tillë është tejet i nevojshëm.

“Konsiderojmë që kjo periudhë është shoqëruar me disa parregullsi, duke filluar nga ngritja e çmimit të cilën ne veç se e kemi proceduar në Gjykatën Themelore të Prishtinës, pastaj edhe çështja e blerjes së energjisë elektrike dhe shumë çështje tjera që do t’i ngrisë ky komision hetimor. Ne konsiderojmë që ngritja e këtij komisioni është tejet e nevojshme”, ka deklaruar Tahiri.

Kryetarja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila për formimin e një komisioni të tillë tha se qëndrojnë të hapur duke shtuar se qeveria ka qenë transparente për këtë çështje.

“Qëndrojmë të hapur dhe Qeveria siç ka qenë deri më tash me transparencë me të gjithë mekanizmat tjetër përfshirë edhe agjencitë që i raportojnë Kuvendit sipas detyrës zyrtare dhe obligimeve që dalin ligji për hetimin parlamentar, do të jenë këtu për të dhënë sqarimet e nevojshme”, tha Kusari Lila.

Lidhja Demokratike e Kosovës gjithashtu ka thënë se e konsideron të rëndësishëm një proces hetimi lidhur me shtrenjtimin e energjisë elektrike.

“LDK e konsideron të rëndësishëm një proces hetimi në lidhje me shtrenjtimin e energjisë elektrike, ku do të hetohen të gjitha institucionet duke filluar prej ZRrE, veprimi dhe mos veprimi tyre me kohë”, ka thënë Arben Gashi, kryetar i grupit parlamentar të LDK-së.

Shefi i grupit parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri ka konsideruar që themelimi i një grupi të tillë hetues është i domosdoshëm.

Për formimin e një komisioni hetimor parlamentar për menaxhimin e krizës energjetike, ministri i financave, Hekuran Murati tha se konsideron që krahasuar me vendet e rajonit, Kosova e ka menaxhuar më së miri.

“Në lidhje me iniciativën për të formuar një komision për krizën e energjisë elektrike, konsideroj që krahasuar me vendet e rajonit e kemi menaxhuar më së miri. Tek ne deri tani janë dizbursua (alokuar) me vendime të Qeverisë 30 milionë dhe janë zotua edhe 90 milionë tjera”, ka thënë Murati.

“Formimi i çfarë do komisioni hetimore do të shërbente vetëm që të na merrte kohën që do ta shfrytëzonim për të kryer punë”, shtoi ai.

Gjithashtu, Murati shtoi se që në vitin 2008 ka pasur një shpenzim prej 210 milionë euro në KEK dhe se fillimi i hetimeve mund të filloj nga privatizimi i KEDS-it.

“Që në vitin 2008 kemi një shpenzim prej 210 milionë euro në KEK. Ka qenë kredi e dhënë nga shteti pra mund të filloni aty, nga privatizimi i KEDS-it”, tha ministri Murati.