Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kusari-Lila: Debati për rritjen e çmimeve ka për qëllim thellimin e panikut

Kryetarja e Grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila në seancën ku po debatohet për rritjen e çmimeve, ka thënë se debati i ftuar nga përfaqësuesit  e opozitës ka për qëllim thellimin e panikut dhe krijimin e paqartësisë.

Kursari Lila tha se përfaqësuesit e opozitës përmes këtij debati po synojnë të imponojnë mendimin se Qeveria nuk është aktive dhe nuk reagon rreth ngjarjeve.

“Debati i ftuar për ditën e sotme përveç që synon të keq informojë për mos iniciativat e Qeverisë për qëllim ka edhe thellimin e panikes dhe ndjenjës së paqartësisë në kohën kur e gjithë bota por edhe Kosova ballafaqohen me pamjet e luftës se egër në Ukrainë”, ka thënë Kusari-Lila.

Kusari-Lila ka përmendur një varg masash, që sipas saj i ka marrë Qeveria Kurti për t’u dalë në ndihmë qytetarëve.

“Nga fillimi i pandemisë pakot e rimëkëmbjes u janë ndarë qytetarëve në nevojë. Në qershor të vitit 2021 ishte 420 milionë euro. Në fund të shkurtit qeveria ka ndarë mjete shtesë për programin e rezervave shtetërore”, ka thënë ajo.

Ajo ka shtuar se disa kompani kosovare me rritjen e çmimeve kanë përfituar nga kriza e pandemisë apo e luftës Rusi-Ukrainë.

“Fatkeqësisht ishte e njëjta ndjenje e cila provohej të rritej nga një kompani apo disa kompani Kosovare të cilat siç duken përfitimet nga kriza i kanë specialitet me qëllim puro komercial. Ato kompani i bën ato lëvizje për përfitime komerciale ju e bëni këtë debat për përfitime politike”, ka thënë Kusari Lila drejtuar partive opozitare.

Kuvendi i Kosovës po mban sot seancë të jashtëzakonshme me një pikë në rend dite: Debat parlamentar lidhur me rritjen çmimeve.

Ditëve të fundit në Kosovë përveç çmimit të naftës është vërejtur rritje e çmimeve edhe të disa prej produkteve esenciale ushqimore.

Disa nga produktet që pësuan rritje të çmimeve është vaji, sheqeri dhe mielli.

Me 10 mars në Kosovë çmimi i vajitshkoi në 3.49 euro.

KALLXO.com ka raportuar se janë mbyllur dy depo të supermarketëve në Fushë-Kosovë dhe Graçanicë janë mbyllur përkohësisht. Në njërën prej tyre janë gjetur 100 mijë shishe vaj ndërsa në tjetrën 26 mijë të tjera.