Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, priti në takim Shefin e ri të Misionit të OSBE-së në Kosovë, Gerard McGurk, Foto: ZKM
Kurti u takua me Shefin e ri të Misionit të OSBE-së në Kosovë, Gerard McGurk
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, priti në takim Shefin e ri të Misionit të OSBE-së në Kosovë, Gerard McGurk, të cilin e uroi për pozitën e re dhe i shprehu mirëseardhjen në Kosovë.
Zyra e Kryeministrit ka njoftuar se në takim u bisedua rreth fuqizimit të bashkëpunimit të dyanshëm, në iniciativa me interes të përbashkët.
“Qeveria e Republikës së Kosovës punon ngushtë me Zyrën e OSBE-së në Kosovë, e ku qëllim të ndërsjellë kemi forcimin e institucioneve demokratike, sundimin e ligjit dhe respektimin e të drejtave të të gjithë qytetarëve të Kosovës pa dallim, konform Kushtetutës dhe ligjeve të vendit tonë” – thuhet në njoftimin e ZKM-së më 09.05.2025.
Sipas ZKM-së, kryeministri Kurti e falënderoi Shefin e ri të Misionit të OSBE-së në Kosovë, Gerard McGurk për bisedën e takimin, duke theksuar e vlerësuar mbështetjen e vazhdueshme të OSBE-së ndaj Kosovës.
Ambasadori Gerard McGurk, diplomat karriere në Shërbimin Diplomatik Britanik, është emëruar Shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë dhe më 05.05.2025 ka marrë zyrtarisht detyrën e re.
Përvoja diplomatike e ambasadorit McGurk përfshin angazhim të gjerë në menaxhim të krizave, marrëdhënie ndërkombëtare bilaterale dhe multilaterale në rajone të ndryshme, nga Madridi, Amani, në Shkup e Kombe të Bashkuara në Nju Jork. Ambasadori McGurk ka qenë pjesë e Ekipit të Qeverisë Britanike për Statusin Final në kuadër të punës së të Dërguarit të Posaçëm të OKB-së, Martti Ahtisaarit (2005-2007).
“Këto përvoja kanë formësuar qasjen time ndaj diplomacisë, duke u fokusuar në dialog gjithëpërfshirës, partneritet, respekt dhe bashkëpunim. Këto vlera janë të rrënjosura thellë në punën e OSBE-së këtu. Si Shef i ri i Misionit, jam i përkushtuar ta vazhdojë punën e jashtëzakonshme të paraardhësve të mi në përmbushjen e mandatit thelbësor të Misionit, gjegjësisht përmirësimin e qeverisjes së mirë, mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut dhe të komuniteteve, si dhe rritjen e sigurisë publike për të gjithë” – tha ambasadori McGurk, citohet në Njoftimin e OSBE-së në Kosovë të datës 05.05.2025.
Ambasadori McGurk ka punuar më parë si Zëvendësdrejtor dhe Shef i Departamentit për Siguri dhe Reziliencë në Zyrën për Punë të Jashtme, Komonuelth dhe Zhvillim (FCDO), si dhe Zëvendësdrejtor për Rrjet dhe Performancë.
Ai ka udhëhequr Sektorin Konsullor në Task-Forcën për Afganistanin në Londër – duke luajtur rol kritik lidershipi në kohë krize gjatë evakuimit ndërkombëtar nga Kabuli në periudhën gusht-shtator 2021. Po ashtu, ka qenë pjesë e Misionit të Mbretërisë së Bashkuar në OKB në Nju Jork si përfaqësues i Qeverisë britanike në komitetet për sanksione ndaj Irakut dhe Al-Kaidës. Në verën e vitit 2003 është deleguar në Irak për të punuar me Autoritetin e Përkohshëm të Koalicionit (CPA). Angazhimi i tij i parë jashtë vendit ishte në Ambasadën Britanike në Athinë, Greqi, në vitin 1991.
Ambasadori McGurk ka përfunduar studimet Master në Administrim Biznesi (MBA) në Universitetin Open në MB. Përveç gjuhës së tij amtare, anglishtes, e flet edhe maqedonishten dhe pak spanjishten. Është i martuar dhe ka dy fëmijë të rritur.
Në rolin e tij si Shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë vjen pas ambasadorit Michael Davenport të Mbretërisë së Bashkuar.
Më shumë informata rreth biografisë së tij: https://www.osce.org/node/590342