
Albin Kurti dhe Miroslav Lajcak FOTO:ZKM
A do të kërkojë Kurti zëvendësimin e Lajçakut?
Për takimin që u mbajt më 14 shtator në mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq dhe ndërmjetësueseve evropian, Kurti sot mbajti një konferencë për media.
Shefi i ekzekutivit në mesin e pyetjeve që pranoi dhe deklaratave që dha u pyet edhe për zëvendësimin e Emisarit të BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak.
Lidhur me këtë, Kurti tha se Lajçak nuk i jep llogari atij.
“Emisari evropian natyrisht se nuk më jep llogari mua, por i jep Komisionit, Këshillit, Parlamentit Evropian. Ajo se çka kam thënë sot është e mjaftueshme për llogaridhënien e tij” – tha kryeministri i vendit.
Kryeministri Kurti dhe Vuçiq, u takuan të enjten e kaluar në Bruksel me ndërmjetësimin e shefit të politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, dhe të dërguarit të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak.
Takimi, që kishte në agjendë zbatimin e Marrëveshjes bazë për normalizimin e marrëdhënieve, nuk prodhoi ndonjë rezultat, tha Borrell.
Sipas tij, ishte Kurti ai që nuk e pranoi propozimin e BE-së për zbatimin e njëkohshëm të obligimeve që dalin nga kjo marrëveshje, ndërsa Vuçiq e pranoi.
Borrell tha se Kurti këmbënguli që të formalizohet, fillimisht, njohja de facto e Kosovës nga Serbia, kurse Vuçiq kërkoi themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Kurti “nuk ka qenë i gatshëm që të ecë përpara me fillimin e një procesi të besueshëm për themelimin e Asociacionit”, tha Borrell.
Kurti dhe Vuçiq, në konferenca të ndara për media, akuzuan njëri-tjetrin për mungesën e rezultateve nga takimi.
Kurti tha se “kushtëzimi i Serbisë” për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe “është shndërruar në qëndrim të emisarëve të BE-së”.
Sipas Vuçiqit, Kurti, thjesht, “i shmanget formimit të Asociacionit… ky është thelbi i gjithçkaje”.