Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kurti synon miratimin e buxhetit 2026 brenda shkurtit, paralajmëron ndryshime në listën e ministrave të propozuar

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili doli fitues në zgjedhjet e parakohshme të 28.12.2025, ka thënë se pjesë e kabinetit të ri qeveritar do të jenë shumë prej emrave që ishin prezantuar në tentativën e tij për t’u zgjedhur kryeministër më 26.10.2025.

Megjithatë, ai ka theksuar se përbërja e kabinetit nuk do të jetë identike dhe se do të ketë edhe emra të tjerë.

Duke folur gjatë një përurimi të investimeve në efiçencën e energjisë në Podujevë, Kurti tha se përveç konstituimit të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë, e pret edhe zbatimi i Planit të Rritjes të Bashkimit Evropian, si dhe nënshkrimi i tri marrëveshjeve me Bankën Botërore.

“Pa harruar edhe atë për të cilën kemi më së shumti përgjegjësi, obligim, por do të thosha edhe preferencë, e që është buxheti për vitin 2026. Ju e dini që nga data 1 dhjetor, Qeveria në detyrë mund të vazhdojë vetëm për muajin shkurt; për muajin mars nuk mund të vazhdojmë në këtë mënyrë. Andaj, në muajin shkurt duhet ta kemi të përmbyllur edhe çështjen e buxhetit 2026”, ka thënë Kurti.

“Ne po përgatitemi që së pari ta konstituojmë Kuvendin dhe sa më shpejt ta formojmë Qeverinë”, ka shtuar ai.

Në mungesë të Ligjit për buxhetin për vitin 2026, në mars mund të bllokohet arka e shtetit, gjë që do të ndikonte drejtpërdrejt në mosshpërndarjen e pagave për punonjësit e sektorit publik dhe pamundësinë për të ekzekutuar urdhërpagesa për shërbime publike.

Në rast se Kuvendi nuk arrin të konstituohet dhe të shkojë me kohë Ligji për Buxhetin në Kuvend, e rrjedhimisht të votohet nga Kuvendi, pasojat në raste të tilla parashihen me nenin 24 të Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike.

Ky nen parasheh që nëse zgjedhjet për Kuvend të Kosovës janë mbajtur në katër muajt e fundit të vitit, atëherë buxheti sigurohet për dy muajt e parë të vitit- i barabartë me 16.67 % nga viti i kaluar fiskal.

Më 19.11.2025, Kuvendi kishte dështuar ta miratonte Buxhetin 2026, pasi partitë e opozitës- PDK, LDK e AAK, konsideronin se Kuvendi nuk mund ta bënte këtë gjë pa u votuar fillimisht qeveria e re.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e shpërndau Kuvendin më 20.11.2025, pasi ky institucion nuk arriti të zgjedhë qeverinë, ndonëse zgjedhjet parlamentare ishin mbajtur më 09.02.2025.

Si rrjedhojë, e para e shtetit e shpalli 28 dhjetorin 2025 si datë për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Mandatari për kryeministër, Albin Kurti, më 26.10.2025 kishte prezantuar kabinetin me të cilin synonte të qeveriste në katër vjetët e ardhshme:

Zëvendëskryeministër i Parë dhe Ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës: Glauk Konjufca

Zëvendëskryeministre e Dytë dhe Ministre e Drejtësisë: Donika Gërvalla

Zëvendëskryeministër i Tretë për Çështje të Pakicave dhe Bashkëpunim Ekonomik: Fikrim Damka

inistër i Financave dhe Ekonomisë: Hekuran Murati

Ministër për Familje dhe Mirëqenie Sociale: Andin Hoti

Ministër i Mbrojtjes: Ejup Maqedonci

Ministër i Punëve të Brendshme: Xhelal Sveçla

Ministër i Administratës dhe Digjitalizimit: Lulëzon Jagxhiu

Ministër i i Shëndetësisë: Arben Vitia

Ministër i Arsimit dhe Shkencës: Avni Zogiani

Ministër i Kulturës dhe Turizmit: Fatmir Spahiu

Ministër i Rinisë dhe Sportit: Blerim Gashani

Ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal: Rasim Demiri

Ministre e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor: Fitore Pacolli

Ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural: Armend Muja

Ministër i Infrastrukturës dhe Transportit: Dimal Basha

Ministre e Tregtisë, Industrisë dhe Integrimeve Evropiane: Mimoza Kusari

Ministre i Energjisë dhe Minierave: Artane Rizvanolli

Ministër për Komunitete dhe Kthim: Nenad Rashiq

Ministër për Zhvillim Rajonal – Sejnur Veshall

Sipas të dhënave të KQZ-së, në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit 2026, Lëvizja Vetëvendosje i ka fituar 51.10 % të votave, apo 57 ulëse në Kuvendin e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës, 20.19 % apo 22 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës, 13.24 % apo 15 ulëse, dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, 5.50 % apo gjashtë ulëse.

Nga 120 deputetët që përbëjnë Kuvendin e Kosovës, 20 janë të rezervuara me Kushtetutë për komunitetet joshumicë që jetojnë në vend.

Pjesëmarrja në zgjedhje ka qenë 45.03% apo 900,330 votues nga 1,999,204 votues në Listën Votuese.

Kriza politike çon shtetin drejt kolapsit financiar