Kurti: Qeveria nuk provokoi, sulmi i opozitës ishte i përgatitur

Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka fajësuar opozitën për situatën ku disa deputetë nga PDK u përfshinë në rrahje fizike me anëtarë të kabinetit qeveritarë.

Ai ka thënë se ata që duan të sulmojnë, kërkojnë shkaqe.

“Aty nuk bëhej fjalë për provokim apo kundërprovokim, por është sulm i përgatitur meqenëse shpejtësia me të cilën ja mësyn nga ulëset e tyre disa deputetë drejt ulëseve të kolegëve të mi nga Qeveria teksa unë mbaja fjalim tregon qartazi se s’kishte asgjë spontane”, u shpreh ai duke komentuar dhunën e ndodhur në seancën e Kuvendit të Kosovës.

Tutje Kurti tha se atë ditë i është penguar fjala e tij si kryeministër, pavarësisht që pas pauzës dy orëshe ai kishte qenë i gatshëm për t’iu përgjigjur tri pyetjeve parlamentare, të cilat ia kishte shtruar opozita.

I pari i ekzekutivit në fund kërkoi nga deputetët që të organizojnë debate parlamentare, në të cilat siç tha ai “do t’i shoshisim mendimet tona pa dhunë”./RTKlive