Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kurti për modelet e prezantuara për Asociacionin: Jemi duke i trajtuar

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se këshilltarët e tij dhe disa nga ministrat e kabinetit qeveritar janë duke i trajtuar rreth 15 modelet për Asociacionin që janë ofruar nga emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.

“Janë përmendur 15 raste të tilla, disa janë më rishtazi, disa më të hershme edhe para se të ekzistojë Bashkimi Evropian. Unë besoj se ato janë modele nga të cilat ne mund të marrim elemente në mënyrë që jo vetëm të drejtat e njeriut, por edhe të pakicave kombëtare të jenë në nivelin e duhur në vendin tonë. Ato po trajtohen nga këshilltarët e mi, nga disa prej ministrave në mënyrë që të shohim se çka është më e favorshme” – tha Kurti sot.

Ai tutje shtoi se nuk do të bëjë kompromis me kushtetutshmërinë, ligjshmërinë dhe funksionimin e shtetit.

“Natyrisht, kushtetutshmëria, ligjshmëria, barazia, funksionimi i shtetit janë diçka që ne nuk bëjmë asnjëherë kompromis” – u shpreh Kurti.

Kurti ka folur edhe lidhur me takimin e 18 marsit me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq i cili pritet të mbahet në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

“Para të shtunës ne do ta dimë agjendën dhe pikat përmbajtjesore se çka do të diskutohet atje. Në kuadër të diskutimit të planit të zbatimit për marrëveshjen tashmë të dakorduar sipas propozimit evropian, pa u ndryshuar asgjë” – tha ai.

Më 3 mars 2023, Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka thënë se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe nuk duhet të shihet nga Kosova si dobësim i funksionalitetit të saj, por se është obligim ligjor.

Në një intervistë për “Atlantic Council”, Lajçak është shprehur se me ekipin e tij kanë shikuar rreth 16 modele ekzistuese funksionale që mund të shihen si modele për të drejtat e minoriteteve dhe se të gjitha janë në përputhje me standardet evropiane, teksa shton se nuk duan të bëjnë diçka që nuk është krijuar kurrë apo testuar në jetë reale tek shtete tjera evropiane.

Lajçak: Në tavolinën time kam 16 modele evropiane për Asociacionin

Të hënën e 27 shkurtit në Bruksel, u zhvillua një rund i ri i dialogut, ku pala kosovare dhe serbe zhvilluan takim trepalësh me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, për të diskutuar rreth propozimit evropian, i njohur në publik si “plani franko-gjerman”.

Ndonëse pati dakordim verbal rreth këtij propozimi mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq, dokumenti si i tillë nuk u nënshkrua nga dy liderët.

Kryetema e këtij plani ishte perceptuar të jetë marrëveshja për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, mirëpo kjo marrëveshje nuk përmendet veçmas në asnjë nga 11 nenet e këtij plani.

Mirëpo, pika e parafundit e këtij plani, pika e 10-të, në përmbajtjen e saj e përfshinë edhe marrëveshjen e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është paraparë me Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013, të arritur mes Kosovës dhe Serbisë, kur kryeministër ishte Hashim Thaçi. Marrëveshja e Brukselit ishte ratifikuar në Kuvendin e Kosovës.

Ndërsa 2 vite më vonë, në gusht të 2015, po ashtu në Bruksel u nënshkrua marrëveshja për themelimin dhe parimet e Asociacionit.

Asociacioni i komunave me shumicë serbe parashikohet që të mbledhë rreth vetes dhjetë komuna në Kosovë, ku shumica e popullsisë është serbe, të cilat janë Mitrovica e Veriut, Kllokoti, Parteshi, Ranillugu, Graçanica, Zveçani, Zubin Potoku, Novobërda, Leposaviqi dhe Shtërpca.

Pas takimit të 27 shkurtit, një takim i ngjashëm është paralajmëruar më 18 mars.

Përmbajtja e planit franko-gjerman