Lajçak: Në tavolinën time kam 16 modele evropiane për Asociacionin

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak thotë se Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk duhet të shihet nga Kosova si dobësim i funksionalitetit të saj, por është obligim ligjor.

Në një intervistë për “Atlantic Council”, Lajçak është shprehur se me ekipin e tij kanë shikuar rreth 16 modele ekzistuese funksionale që mund të shihen si modele për të drejtat e minoriteteve dhe se të gjitha janë në përputhje me standardet evropiane, teksa shton se nuk duan të bëjnë diçka që nuk është krijuar kurrë apo testuar në jetë reale tek shtete tjera evropiane.

“Po flasim me partnerët tanë për modele ekzistuese që po forcojnë funksionalitetin e shteteve dhe jo dobësimin, prandaj mendojmë se s’duhet të ketë frikë. Askush s’ka për interes të dobësojë funksionalitetin e Kosovës. Nuk duhet ta shikojmë këtë asociacion si kërcënim apo ndëshkim, është obligim ligjor por duhet të shihet edhe si ndërtim i mirëbesimit të serbëve të Kosovës dhe Qeverisë së Kosovës dhe definim të qartë të raporteve të Qeverisë së Serbisë me serbët e Kosovës sipas standardeve evropiane”- ka deklaruar Lajçak.

“Me ekipin tim kemi shikuar disa modele ekzistuese dhe mund të ju them që në tavolinën time kam 16 modele evropiane, nuk do t’i listoj. Nuk duam të krijojmë diçka që mund të bëjë sistemin në Kosovë më pak funksional, nuk duam të krijojmë diçka që nuk është krijuar kurrë apo testuar në jetë reale në ndonjë shtet evropian sepse mos harroni që, qëllimi këtij dialogu është që të afrojmë Kosovën dhe Serbinë tek Bashkimi Evropian”- shton ai.

Emisari i BE-së është shprehur se për Asociacionin, Kosova dhe Serbia të dakordohen që si do bëhet.

“Kjo çështje ka qenë me rëndësi dhe është diskutuar shumë në publik. Dëgjoj shumë deklarata se si duhet të bëhet apo si nuk duhet të bëhet dhe përgjigja ime te kjo është që Kosova dhe Serbia të dakordohen që si do bëhet. Nuk duhet të frikësohemi nga diçka që nuk është vendosur endë në agjendë.  në procesin e dialogut. Kosova dhe Serbia janë palë të barabarta, pra asnjëra nga to nuk mund të imponojë vullnetin e saj ndaj palës tjetër kundër vullnetit të saj”- thekson ai

Lajçak ka thënë se Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka thënë se Asociacioni mund të bëhet por se duhet marrë parasysh gjetjet e saj. Sipas tij, këto parametra dhe detaje duhet të definohen në dialog.

Lajçaku ka përsëritur se Asociacioni është obligim ekzistues që e pret Kosovën që 10 vjet për implementim dhe ka vlerësuar këtë çështje si diçka që mund të bëhet, edhe pse ka shtuar se e sheh si sfidë.

Të hënën e 27 shkurtit në Bruksel, u zhvillua një rund i ri i dialogut, ku pala kosovare dhe serbe zhvilluan takim trepalësh me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, për të diskutuar rreth propozimit evropian, i njohur në publik si “plani franko-gjerman”.

Ndonëse pati dakordim verbal rreth këtij propozimi mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq, dokumenti si i tillë nuk u nënshkrua nga dy liderët.

Kryetema e këtij plani ishte perceptuar të jetë marrëveshja për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, mirëpo kjo marrëveshje nuk përmendet veçmas në asnjë nga 11 nenet e këtij plani.

Mirëpo, pika e parafundit e këtij plani, pika e 10-të, në përmbajtjen e saj e përfshinë edhe marrëveshjen e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Kosova dhe Serbia kanë filluar dialogun që nga viti 2011, duke arritur kështu 33 marrëveshje për normalizim të marrëdhënieve.

Themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është paraparë me Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013, të arritur mes Kosovës dhe Serbisë, kur kryeministër ishte Hashim Thaçi. Marrëveshja e Brukselit ishte ratifikuar në Kuvendin e Kosovës.

Ndërsa 2 vite më vonë, në gusht të 2015, po ashtu në Bruksel u nënshkrua marrëveshja për themelimin dhe parimet e Asociacionit.

Asociacioni i komunave me shumicë serbe parashikohet që të mbledhë rreth vetes dhjetë komuna në Kosovë, ku shumica e popullsisë është serbe, të cilat janë Mitrovica e Veriut, Kllokoti, Parteshi, Ranillugu, Graçanica, Zveçani, Zubin Potoku, Novobërda, Leposaviqi dhe Shtërpca.

Gjykata Kushtetuese, në vendimin e nxjerrë në dhjetor të vitit 2015, tha se Marrëveshja për Asociacionin në 23 pika të saj, nuk është në përputhshmëri me Kushtetutën e Kosovës.

Ndonëse nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, partnerët ndërkombëtarë vazhdimisht kanë përmendur se marrëveshja për Asociacionin duhet të zbatohet nga Kosova. E në anën tjetër, nga Qeveria e Kosovës vazhdimisht kanë theksuar se marrëveshja antikushtetuese kurrsesi nuk mund të zbatohet.

Asociacioni i ‘kamufluar’ në propozimin e BE-së