Kurti pas takimit me Lajçakun: BE ta mbajë Serbinë përgjegjëse për shkeljet e vazhdueshme të Marrëveshjes

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pritur të enjten në takim, emisarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Pas takimit, Kurti në një postim në Twitter u shpreh se ka theksuar nevojën që Marrëveshja Themelore të zbatohet në tërësi, teksa shton se BE-ja duhet të mbajë Serbinë përgjegjëse për shkeljet e vazhdueshme të saj.

“Sot prita në takim zyrën e Qeverisë së Kosovës, Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian, Mirosllav Lajçak. Theksova nevojën që Marrëveshja Themelore të zbatohet në tërësi dhe nevojën që BE-ja ta mbajë Serbinë përgjegjëse për shkeljet e vazhdueshme të asaj Marrëveshjeje”- ka shkruar Kurti.

Në anën tjetër, Lajçak pas takimit, deklaroi para gazetarëve se qëllimi i vizitës së tij është të dakordohen për hapat e ardhshëm drejt normalizimit të marrëdhënieve pas takimit të 2 majit.

Lajçak njoftoi se të hënën e javës së ardhshme do të takohet me kryenegociatorët, nga Kosova Besnik Bislimin dhe nga pala e Serbisë, Petar Petkoviqin.

Lajçak tregoi se pjesën e dytë të vizitës së tij në Kosovë, do ta vazhdojë në veri të vendit që siç tha ai, do të shkojë për të kuptuar situatën atje.

Më 24 prill, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, tha se institucionet e Brukselit “janë në dijeni” se Serbia votoi kundër aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.Megjithatë, Stano nuk deshi t’i përgjigjet pyetjes nëse BE-ja e konsideron këtë veprim shkelje të Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve, që Kosova dhe Serbia arritën më herët gjatë këtij viti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 27 shkurt në Bruksel u pajtuan për Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve. Ndërkaq, më 18 mars në Ohër ata u pajtuan për Aneksin e zbatimit të kësaj marrëveshjeje.

Neni 4 i kësaj marrëveshjeje thotë se Serbia nuk do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në institucionet ndërkombëtare.

Të premten emisari svropian Lajçak, do të qëndrojë në kryeqytetin serb, Beograd ku edhe pritet të zhvilloj takime me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Kjo vizitë vie pas takimit të 2 majit në Bruksel të mbajtur mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Në këtë takim, palët kanë arritur pajtim për Deklaratën e të zhdukurve nga lufta e fundit në Kosovë, por është prezantuar edhe draft-statuti për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, që është hartuar nga një ekip menaxhues, i përbërë prej katër pjesëtarëve të komunitetit serb.

Ky draft-statut nuk është pranuar nga Qeveria e Kosovës dhe një ditë më vonë, anëtarët e Ekipit Menaxhues janë shkarkuar nga autoritetet kosovare.

Qeveria ka prezantuar një version të tyre për draftin e statutit të Asociacionit.

Lajçak: Të hënën do takohem me Bislimin dhe Petkoviqin në Bruksel