Lajçak: Të hënën do takohem me Bislimin dhe Petkoviqin në Bruksel

Emisari i Bashkimit Evropian për dialog, Mirosllav Lajçak pas takimit që mbajti me kryeministrin Albin Kurti dhe zëvendëskryeministrin, Besnik Bislimi tha se qëllimi i vizitës së tij është të dakordohen për hapat e ardhshëm drejt normalizimit të marrëdhënieve pas takimit të 2 majit.

Lajçak njoftoi se të hënën e javës së ardhshme do të takohet me kryenegociatorët, nga Kosova Besnik Bislimin dhe nga pala e Serbisë, Petar Petkoviqin.

“Kam ardhur sot në Prishtinë për të diskutuar me kryeministrin Kurti dhe zëvendëskryeministrin Bislimi për hapat e procesit të normalizimit të marrëdhënieve pas takimit të 2 majit. Është shumë e rëndësishme të kemi një kuptim të qartë të hapave dhe për këtë patëm diskutim të rëndësishëm. Për këto aspekte, do të kem diskutime të njëjta edhe në Beograd nesër”- deklaroi Lajçak.

“Do të takohem me kryenegociatorët, Bislimin dhe Petkoviq të hënën në Bruksel, pra kjo është shumë e rëndësishme që të kemi qartësi në atë se si të vazhdojmë, kemi marrëveshjen, kemi aneksin, kështu që duhet të kemi një kuptim të qartë të hapave”- shtoi ai.

Lajçak tregoi se pjesën e dytë të vizitës së tij në Kosovë, do ta vazhdojë në veri të vendit që siç tha ai, do të shkojë për të kuptuar situatën atje.

“Këtë pasdite gjithashtu do të shkoj në veri të Kosovës. Dua të kem një pikëpamje të dorës së parë të situatës atje dhe shpresoj që të ketë një zgjidhje politike për t’u fokusuar plotësisht në normalizim dhe zbatimin e marrëveshjes”- u shpreh ai.

“Ne mund të kemi vetëm normalizim ose konflikt dhe ne definitivisht duam të fokusohemi tërësisht në normalizim. Për këtë arsye duam të shmangim çfarëdo eskalimi, nuk është në interesin e askujt”- theksoi Lajçak.

Ai tha se do të takohet edhe me kryetarin e Mitrovicës Jugore, Bedri Hamzën, për të dëgjuar perspektiven e tij për situatën në veri.

Emisari i BE-së u pyet edhe për çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe se çka është e pranueshme për BE-në.

“Lehtësuesit janë për të gjetur një mes dhe këtë saktësisht do të bëjmë këtë. Ajo që është e pranueshme për BE-në është e bazuar në vlerat evropiane, që janë në përputhje me modelet evropiane, e kemi thënë që nga fillimi”- ka thënë Lajçak.

Lajçak më tej njoftoi se nesër do të ketë diskutime të njëjta edhe në Beograd.

Kjo vizitë vie pas takimit të 2 majit në Bruksel të mbajtur mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Në këtë takim, palët kanë arritur pajtim për Deklaratën e të zhdukurve nga lufta e fundit në Kosovë, por është prezantuar edhe draft-statuti për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, që është hartuar nga një ekip menaxhues, i përbërë prej katër pjesëtarëve të komunitetit serb.

Ky draft-statut nuk është pranuar nga Qeveria e Kosovës dhe një ditë më vonë, anëtarët e Ekipit Menaxhues janë shkarkuar nga autoritetet kosovare.

Qeveria ka prezantuar një version të tyre për draftin e statutit të asociacionit.

Kurti e Lajçak në takim me dyer të mbyllura