Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kurti në dyvjetorin e agresionit rus në Ukrainë: Populli ukrainas rezistoi me sukses, i mbështesim deri në fitore

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në dyvjetorin e agresionit rus në Ukrainë, u shpreh se populli ukrainas rezistoi me sukses përballë këtij agresoni dhe se Kosova do i jap mbështetje të palëkundur deri në fitore.

Kurti u shpreh se një kërcënim i tillë autoritar për sigurinë europiane nuk mund të ishte më i serioz.

“Kanë kaluar 2 vjet që nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia, i cili ka rezultuar në mbi 6 milionë refugjatë ukrainas jashtë vendit, mijëra vdekje civile dhe shkatërrim shkatërrues të shtëpive, jetëve dhe mjeteve të jetesës. Kërcënimi autoritar për sigurinë evropiane nuk mund të ishte më i akut”- shkroi Kurti në Twitter më 24.02.2024.

“Përballë agresionit brutal, populli ukrainas i ka rezistuar me sukses përpjekjes së Rusisë për të kapur dhe pushtuar Kievin. Ushtarët e tyre vazhdojnë luftën e një populli të tërë – aq të guximshëm dhe të vendosur si kurrë më parë. I përshëndesim dhe premtojmë mbështetjen tonë të palëkundur, derisa fitorja të jetë e tyre”- shtoi më tej kryeministri Kurti.

Agresioni i Rusisë në Ukrainë nisi më 24.02.2022 dhe që prej atëherë mijëra njerëz kanë humbur jetën e miliona të tjerë kanë lëshuar vendin.