Foto: ZKM

Kurti: Me sa duket gjykata në Serbi rrëzoi akuzat për terrorizëm ndaj policëve të kidnapuar

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë një diskutimi në Forumin e Prespës në Sturgë të Maqedonisë së Veriut tha se një gjykatë në Kralevë të Serbisë “me sa duket” ka rrëzuar akuzat për terrorizëm ndaj tre policëve kosovarë të kidnapuar të mërkurën në zonën kufitare mes Kosovës dhe Serbisë, në Leposaviq.

Ai nuk dha shumë detaje, por tha në fuqi kanë mbetur vetëm akuzat për armëmbajtje pa leje.

“Gjykata në Kralevë me sa duket i ka hedhur poshtë akuzat për terrorizëm dhe ka mbajtur në fuqi vetëm akuzat për armë mbajtje pa leje” – deklaroi Kurti.

Tutje, duke komentuar zhvillimet e fundit në veriun e vendit, ai shpjegoi se njësiti special ushtarak “Kobra” nga Serbia kanë hyrë rreth një kilometër brenda territorit të Kosovës dhe kanë kidnapuar tre zyrtarët policorë.

Sot gjatë ditës u raportua se tre zyrtarët policoër do të merren në pyetje në Kralevë të Serbisë nga Prokuroria.

Ndërkohë, dje gjatë ditës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkuan lirimin pa kushte dhe menjëherë të tre policëve kosovarë.

Ndërkaq, sot lirimin e tyre e kërkoi edhe Qeveria e Britanisë së Madhe.

Pas SHBA-së, edhe Britania e Madhe kërkon lirimin e policëve të kidnapuar nga Serbia