Britania e Madhe, Foto: Pixabay

Pas SHBA-së, edhe Britania e Madhe kërkon lirimin e policëve të kidnapuar nga Serbia

Qeveria e Britanisë së Madhe ka kërkuar që tre policët e kidnapuar nga shteti serb të mërkurën në veriun e Kosovës, në Leposaviq, të lirohen menjëherë.

Reagimi i Mbretërisë së Bashkuar vjen një ditë pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkuan lirimin e tre zyrtarëve policorë, pa kushte, të arrestuar në zonën kufitare mes Kosovës dhe Serbisë.

Në një reagim, qeveria britanike ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që t’i ulin tensionet dhe të angazhohen në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

“Ne bëjmë thirrje për lirimin e menjëhershëm të tre policëve të Kosovës të ndaluar më 14 qershor” – thuhet në reagim.

“Ne i bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të ushtrojnë përmbajtje maksimale, të shmangin masat e njëanshme dhe të ndërmarrin veprime të menjëhershme për të ulur tensionet” – thuhet tutje në reagim.

Tutje, qeveria e Britanisë përsëriti kërkesën që kryetarët e zgjedhur më 23 prill të punojnë nga zyrat alternative dhe Kosova të angazhohet për të shpallur zgjedhje të reja në katër komunat e veriut.

“Ne përsërisim thirrjet tona për kryeministrin Kurti dhe qeverinë e tij që të sigurojnë që kryetarët e zgjedhur të komunave të kryejnë detyrat e tyre kalimtare nga lokacione alternative jashtë ndërtesave komunale dhe që njësitë speciale të policisë të tërhiqen nga ndërtesat komunale” – thuhet në reagim.

“Zgjedhjet e reja, gjithëpërfshirëse duhet të shpallen sa më shpejt të jetë e mundur. Ne presim dhe inkurajojmë serbët e Kosovës që të marrin pjesë në këto zgjedhje. Presim që Kosova dhe Serbia të angazhohen menjëherë në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe në veçanti të fillojnë punën pa vonesa të mëtejshme për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe” – thuhet në fund të reagimit.