Foto: ZKM

Kurti kujton masakrën në Likoshan dhe Qirez, thotë se asnjëherë nuk harrohet krimi shtetëror i Serbisë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar masakrën e 28 shkurtit të 1998-ës në fshatrat Likoshan dhe Qirez.

Kurti ka cituar fjalët e një raporti të një organizatës për të drejtat e njeriut ‘‘Human Rights Watch”.

“Helikopterë e makina ushtarake, përpara se forcat policore të hynin më këmbë për të bërë ç’të mundnin brenda, kishin qëlluar mbi lagjet, shtëpitë, çatitë”.

Kryeministri tha se asnjëherë nuk do të harrojmë krimin shtetëror të Serbisë.

“24 vjet më parë forcat serbe rrethuan këto dy fshatra dhe vranë e masakruan 24 civilë të pafajshëm. Në këtë ditë ne përkujtojmë dëshmorët dhe martirët tonë, e asnjëherë nuk harrojmë krimin shtetëror të Serbisë”, ka thënë më tutje.

Kurti tha se është obligim të gjykohen dhe të dënohen kriminelët serbë dhe gjenocidi i Serbisë në Kosovë.

“E kemi obligim, për lirinë dhe paqen që sot e gëzojmë, për të vrarët dhe familjarët e tyre, për të kaluarën e të ardhmen tonë, sjelljen e drejtësisë, duke i gjykuar dhe dënuar kriminelët serbë dhe gjenocidin e Serbisë në Kosovë”, tha ndër të tjera kryeministri.