Kurti: Kosova është e përkushtuar për marrëdhënie të mira fqinjësore, dëshirojmë zgjidhje evropiane

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti është deklaruar pas takimit me kryeministrin e Holandës, Mark Rutte dhe me atë të Luksemburgut, Xavier Bettel.

Kurti ka thënë se të tria vendet gëzojnë marrëdhënie të shkëlqyera teksa ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e Holandës dhe Luksemburgut ndër vite.

“Në këto kohë të rëndësishme për demokracinë dhe sigurinë e paqen, në emër të popullit te Kosovës i falënderova të dy për vizitën. Vendet tona gëzojnë marrëdhënie të shkëlqyera të cilat janë gjithnjë e më të afërta. Jemi mirënjohës për mbështetjen e Holandës dhe të Luksemburgut gjatë këtyre viteve për në lirinë dhe pavarësinë tonë”- ka thënë Kurti.

“Me Holandën dhe Luksemburgun gëzojmë marrëdhënie të mira ekonomike dhe tregtare të cilët mund t’i përmirësojmë edhe më tej, për këtë edhe biseduam në takimin tonë. Është e rëndësishme të ecim më shumë bashkërisht. I kemi mbi 153 biznese të Holandës në Kosovë dhe janë dhjetëra të tjera gjithashtu nga Luksemburgu” – shtoi ai.

Kurti gjithashtu njoftoi se ka ftuar zyrtarisht kryeministrin Rutte që të planifikojnë për një konferencë Holandë – Kosovë në fushën e teknologjisë së informacionit.

Në arenën ndërkombëtare, kreu i ekzekutivit tha se të dyja vendet kanë ndihmuar Kosovën veçanërisht në procesin e liberalizimit të vizave.

“Na kanë ndihmuar edhe në arenën ndërkombëtare për anëtarësimin e Kosovës, siç ishte rasti për kalimin e pengesës së parë për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe liberalizimin e vizave për Kosovën. Gjithashtu kërkova që të na ndihmojnë sa i përket programit të NATO-s dhe të ecim më tutje drejt marrjes së pyetësorit nga Komisioni Evropian sa i përket anëtarësimit në BE” – tha Kurti.

Kryeministri foli edhe nw lidhje me procesin e dialogut, duke theksuar se Kosova është e përkushtuar për marrëdhënie të mira fqinjësore dhe dëshiron zgjidhje evropiane.

“Lidhur me dialogun theksova qe Kosova është e përkushtuar për marrëdhëniet të mira fqinjësore dhe dëshirojmë zgjidhje evropiane,  dhe për këtë kemi marrëveshjet bazike të 27 shkurtit dhe 18 marsit për të cilën dëshirojmë te plotësohen të plota dhe pa kushte”- deklaroi Kurti.

Rutte dhe Brettel, sot gjithashtu kanë zhvilluar një takim me presidenten e vendit, Vjosa Osmani.

Kryeministri i Holandës, Mark Rutte dhe ai i Luksemburgut, Xavier Bettel, u bënë thirrje Serbisë dhe Kosovës që të ndërmarrin hapa drejt shtensionimit të situatës dhe të vazhdojnë dialogun drejt normalizimit të marrëdhënieve. Ata i bënë këto komente gjatë një vizite në Beograd ku u takuan me presidentin Aleksandër Vuçiq.

 

Nis takimi i presidentes Osmani me kryeministrin e Holandës dhe Luksemburgut