Kurti: Insistojmë në zbatim të plotë të secilit nen - pa kushte, të marrëveshjes me Serbinë - VIDEO

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti para gazetarëve ka treguar detaje rreth takimit të sotëm me Emisarin e Bashkimit Evropian për dialog, Mirosllav Lajçak.

Kurti tha se takimi sotëm ishte vazhdim i atij që ishte mbajtur javën e kaluar në Bruksel dhe se gjithashtu ishte edhe përgatitje për takimin që do të zhvillohet mes kryenegociatorëve javën e ardhshme.

“Takimi që u zhvillua sot me Lajçak është si vazhdim i takimit që u zhvillua në Bruksel dhe ishte përgatitje për takimin që do të zhvillohet mes kryenegociatorëve. Insistimi ynë është ajo çfarë jemi dakorduar, pra zbatim i plotë i secilit nen pa vonesa dhe pa kushte”- tha Kurti.

“Ne e dimë që pala tjetër ka bërë deklarata se marrëveshjen nuk e pranon me përmbajtje por vetëm me koncept dhe se zbatimi i saj ka kufizime. Këto për ne janë të pa pranueshme dhe ishte e rëndësishme që sot ta konfirmojmë me emisarin që marrëveshja është ajo me 11 nene në Bruksel dhe ajo me 12 pika në Ohër”- shtoi ai.

Kryeministri theksoi se është i interesuar që të bashkëpunojë në shkrimin e një vizioni për komunitetin serb në Kosovë sa i përket nivelit të vetë-menaxhimit.

“Jemi të interesuar që të bashkëpunojmë për të shkruar bashkë një vizion për komunitetin serb në Kosovë sa i përket nivelit adekuat të vetëmenaxhimit siç e sheh neni 7 i marrëveshjes së dakorduar, duke mos e anashkaluar nenin 10. Ky është synimi ynë paralelisht me atë që duhet të ketë zbatim të plotë dhe sa më të shpejtë“- u shpreh Kurti.

Kreu i ekzekutivit tha se Kosova është në rrugën e normalizimit teksa ritheksoi se marrëveshja bazike që sipas tij është realizuar, përbën njohje defacto.

“Kosova është në rrugën e normalizimit, në normalizim i plotë i cili arrihet pikërisht me njohjen reciproke në qendër ndërsa me marrëveshjen bazike që e kemi realizuar kemi njohje defacto”—deklaroi Kurti.

Ndërkaq, emisari i BE-së sot njoftoi se të hënën e javës së ardhshme do të takohet me kryenegociatorët, nga Kosova Besnik Bislimin dhe nga pala e Serbisë, Petar Petkoviqin.

“Do të takohem me kryenegociatorët, Bislimin dhe Petkoviq të hënën në Bruksel, pra kjo është shumë e rëndësishme që të kemi qartësi në atë se si të vazhdojmë, kemi marrëveshjen, kemi aneksin, kështu që duhet të kemi një kuptim të qartë të hapave”- deklaroi ai.

Lajçak më tej njoftoi se nesër do të ketë diskutime të njëjta edhe në Beograd.

Kjo vizitë vie pas takimit të 2 majit në Bruksel të mbajtur mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Në këtë takim, palët kanë arritur pajtim për Deklaratën e të zhdukurve nga lufta e fundit në Kosovë, por është prezantuar edhe draft-statuti për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, që është hartuar nga një ekip menaxhues, i përbërë prej katër pjesëtarëve të komunitetit serb.