Kurti: Do të jemi gjithmonë adresë dhe shtëpi për shqiptarët në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se në këtë tri vjet qeverisjeje, shqiptarët e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit “nuk po lihen më në harresë e të pambrojtur”.

Sipas Kurtit, ata tash gëzojnë kujdesin e përkrahjen tonë gjithnjë e më të madhe, çdo vit e më shumë.

Kurti thotë se Presheva, Medvegja dhe Bujanoci kanë një linjë të veçantë dhe të rregullt buxhetore në Buxhetin Vjetor të Kosovës, duke përmendur se në vitin 2022 kanë ndarë dy milionë euro, dhe tani kanë buxhetuar tre milionë euro.

“Me qeverinë tonë Presheva, Medvegja dhe Bujanoci kanë një linjë të veçantë dhe të rregullt buxhetore në Buxhetin Vjetor të Kosovës. Për vitin 2022 ndamë 2 milionë euro. Këtë vit të buxhetuar kemi 3 milionë euro. Vëmendja jonë dhe ndihma nuk ka munguar as para kësaj. Në qeverisjen tonë të parë, në vitin 2020, patëm ndarë gjysmë milioni euro në përballjen e tre komunave me shumicë shqiptare me pandeminë Covid-19. Vitin pasues, kur Komuna e Preshevës u godit nga vërshimet, ndamë 100 mijë euro mbështetje për tejkalim dhe rikuperim të dëmeve”- ka shkruar Kurti mes tjerash në Facebook më 31.03.2024.

“Në të njëjtën kohë arsimi është kyç për edukimin e brezave dhe mësimin e historisë, andaj siguruam libra shkollorë dhe parashkollorë në gjuhën shqipe për nxënësit shqiptarë për vitet 2022 dhe 2023. Ndërsa për 107 studentë, siguruam 107 bursa studimore” – thuhet në postimin e Kurtit.

Sipas Kurtit, me “drejtësi, zell e shpërndarje të barabartë, dhe me trajtim vëllazëror sa edhe kombëtar, do të jenë gjithmonë adresë, shtëpi dhe krah për shqiptarët në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.”