
Foto: Komuna e Leposaviqit
Kryetari i Leposaviqit premton ndërtimin e një Kompleksi Sportiv
Kryetari i Leposaviqit premton se do ta ndërtojë një Kompleks Sportiv në këtë komunë.
Sipas kryetarit Lulzim Hetemi, kjo vjen si rezultat i bashkëpunimit në mes të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) dhe Komunës së Leposaviqit.
“Synimi kryesor i këtij projekti është krijimi i një infrastrukture moderne sportive, që do të shërbejë si një pikë qendrore për zhvillimin e sportit dhe aktiviteteve rekreative në rajon”- thuhet në njoftim.
Elementet kryesore të projektit sipas kryetarit Hetemi janë: fusha kryesore e futbollit, objektet shtesë dhe administrative, hapësirat rekreative dhe komunitare si dhe qëndrueshmëria e qasja për persona me aftësi të kufizuara.
“Një fushë futbolli me përmasa standarde ndërkombëtare (FIFA), me bar artificial ose natyral, e pajisur me ndriçim për aktivitete edhe gjatë natës. Një ndërtesë multifunksionale me zyra për menaxhimin e kompleksit, hapësira për trajnerë, dhoma zhveshjeje për lojtarë dhe gjyqtarë, si dhe një qendër konferencash. Qasja do të jetë e siguruar për të gjithë, përfshirë personat me aftësi të kufizuara”- theksohet në njoftim.
Zhvillimi ekonomik, rritja ekonomike dhe përfshirja komunitare janë objektivat kryesore të këtij Kompleksi Sportiv sipas njoftimit të Komunës së Leposaviqit.
“Promovimi i futbollit dhe sporteve të tjera si një mundësi për të identifikuar dhe zhvilluar talente të reja. Gjenerimi i të ardhurave përmes organizimit të ndeshjeve, turneve dhe aktiviteteve të tjera sportive dhe ndërtimi i një hapësire që do të shërbejë si pikë grumbullimi për të rinjtë dhe komunitetin lokal”- përfundojnë komunarët.
Përfundimi i projektit sipas kryetarit Hetemi pritet të sjellë një ndikim të qëndrueshëm pozitiv për komunitetin e Leposaviqit dhe gjithë rajonin përreth.