Foto: ZKM

Kryeministri Kurti udhëton për në Gjermani

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka udhëtuar për në Gjermani.

Zyra e Kryeministrit ka njoftuar se Kurti do të marrë pjesë në konferencën e Sigurisë e cila po mbahet në Mynih.

Sipas njoftimit, Kurti do të zhvillojë takime me liderë shtetërorë dhe përfaqësues institucionesh, pjesëmarrës në këtë konferencë.

Ndërkohë, kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz e ka quajtur “mundësi historike” planin evropian për marrëveshje në mes Kosovës dhe Serbisë.

Scholz e tha këtë gjatë një konferncë në Konferencën e Sigurisë në Mynih të Gjermanisë.

“Ky është edhe qëllimi i propozimit evropian, i iniciuar nga presidenti [Emmanuel] Macron dhe unë, për marrëveshje mes Serbisë dhe Kosovës. Shpresoj që Beogradi dhe Prishtina do ta shfrytëzojnë këtë mundësi historike në interes të stabilitetit në Ballkanin Perëndimor dhe në Evropë”- tha Scholz.

Përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, ka thirrur për 27 shkurt takimin në nivel të lartë mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Sipas njoftimit, të dy palët e kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre.

Vitin e kaluar, Kosovës dhe Serbisë iu dorëzua propozimi evropian, apo siç njihet edhe si propozimi franko-gjerman.

Palët kanë konfirmuar se e pranojnë këtë dokument, por ai nuk është bërë publik.

Kosova dhe Serbia i kanë nisur negociatat e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian më 2011.

Kosova të premten po shënon 15-vjetorin e shpalljes së pavarësisë.