'KRU Prishtina' informon qytetarët si të parandalojnë ngrirjen e ujëmatësve dhe gypave
Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka informuar qytetarët se si të kenë kujdes për ujëmatësit dhe tubat, për shkak se ata mund të ngrihen brenda pak orëve nga fillimi i motit me temperatura të ulëta, nëse janë të ekspozuara direkt ndaj ajrit të ftohtë.
“Gjeni valvolën kryesore të mbylljes së ujit p.sh. në bllokun e banimit (puseta me ujëmatësin kryesor) apo në shtëpitë private. Tregoni të gjithë anëtarëve të familjes se si të mbyllni atë në rast të një tubi i cili mund të shpërthejë ose emergjencë të ngjashme. Në banimet kolektive, banorët duhet të dinë vendndodhjen e pusetës me ujëmatës dhe valvolën për ndërprerjen, po ashtu dhe valvolen për ndërprerje të rrjetit të hidrantëve të brendshëm në rast se keni shpërthim të tubit të hidrantëve” – ka shpjeguar KRU “Prishtina”.
Në katet përdhesë, sipas njoftimit, rreziku është më i madh pasi që vertikalja e furnizimit është më shumë e ekspozuar në ajrin e ftohtë dhe mundësitë e rrjedhjes janë potenciale.
“Apelojmë te konsumatorët që të bëjnë izolime në pusetat ku kanë të vendosur matësin e ujit që të mos vijë deri te ngrirja. Tubat që kanë më shumë gjasa të ngrihen janë ata që janë në muri të pa-izoluar mirë, garazhe, bodrume dhe ata të vendosur cektë nën sipërfaqen e tokës. Shtoni izolimin në mure të jashtme kudo që të jetë e mundur dhe mbyllni (vishni) gypat me izolim në garazhe dhe bodrume si dhe bëni izolim të brendshëm ujëmatësit me materiale që pengojnë ajrin e ftohtë” – thuhet më tej në njoftim.
KRU “Prishtina” thotë se parandalimi i ngrirjes së ujëmatësve dhe tubave që mos të vijë deri te ngrirja është shumë më e lehtë sesa zëvendësimi i tubave që ngrijnë dhe shpërthejnë.