Kriza Rusi-Ukrainë: Zhvillimet më të fundit atje

Tensionet janë shtuar sërish mbi Ukrainën të enjten me pretendimet kontradiktore nëse Rusia i kishte tërhequr trupat që i ka grumbulluar prej javësh rreth Ukrainës, duke i përshkallëzuar armiqësitë në lindje të Ukrainës të kontrolluar nga separatistët dhe duke e intensifikuar diplomacinë.

Frika perëndimore se një pushtim rus i Ukrainës është i afërt është zbutur, por nuk është zhdukur krejtësisht. Përpjekjet diplomatike për ta shmangur luftën morën energji të re këtë javë pasi presidenti rus Vladimir Putin tha se Rusia ishte e gatshme t’i diskutonte çështjet e sigurisë me NATO-n dhe Rusia tha se po tërhiqte disa nga trupat e saj të koncentruara pranë kufijve të Ukrainës.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre e kanë mirëpritur hapin diplomatik nga Rusia, por thonë se kanë parë pak prova të një de-përshkallëzimi ushtarak rus.

Ministrat e mbrojtjes të NATO-s u takuan të mërkurën në Bruksel, ndërkohë që Perëndimi përpiqet ta pengojë një pushtim – një të tillë për të cilin Rusia këmbëngul se nuk e ka ndërmend ta nisë.

Më poshtë po japim një vështrim se çfarë po ndodh ku dhe pse:

ÇFARË PO NDODH ME TRUPAT RUSE?

Ndryshe nga pretendimet e Putinit, Rusia ka shtuar deri në 7,000 trupa pranë kufirit me Ukrainën ditët e fundit, tha një zyrtar i lartë i administratës Biden të mërkurën. Zyrtari nuk ishte i autorizuar të fliste publikisht për operacione të ndjeshme dhe foli për Associated Press në kushte anonimiteti. 

Presidenti i SHBA-së Joe Biden tha të martën se 150,000 trupa ruse ishin grumbulluar në veri, jug dhe lindje të Ukrainës dhe zyrtarët perëndimorë thanë se një pushtim rus mund të ndodhë ende së shpejti.

Ministria e Mbrojtjes ruse ka njoftuar se disa njësi që marrin pjesë në stërvitjet ushtarake do të fillojnë të kthehen në bazat e tyre, një deklaratë e mirëpritur si “një sinjal i mirë” nga kancelari gjerman Olaf Scholz. Ministria ruse e Mbrojtjes publikoi pamjet e një ngarkese treni me automjete të blinduara që po largoheshin nga Krimea, të cilat Rusia i kishte marrë nga Ukraina në vitin 2014.

Por Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se aleanca ushtarake nuk kishte parë “asnjë shenjë të de-përshkallëzimit në terren – asnjë tërheqje të trupave apo pajisjeve ruse”.

“Rusia mban një forcë masive pushtuese të gatshme për të sulmuar”, tha ai.

ÇFARË THOTË RUSIA?

Kremlini hedh poshtë pretendimet se po planifikon një pushtim. Ministri i Jashtëm rus Sergey Lavrov tha se “histeria perëndimore… na shqetëson thellësisht” dhe akuzoi Perëndimin se po përpiqet të diktojë se si Rusia duhet të sillet në territorin e saj.

Ambasadori i Moskës në Bashkimin Evropian, Vladimir Chizhov, i tha gazetës gjermane ëelt se “nuk do të ketë një sulm këtë të mërkurë. Nuk do të ketë një përshkallëzim as javën e ardhshme, as në javën e ardhshme, as në muajin e ardhshëm”.

Zyrtarët perëndimorë thonë se edhe nëse një pushtim nuk është i pashmangshëm, Rusia mund të mbajë trupa të grumbulluara pranë Ukrainës për javë të tëra, duke e kthyer koncentrimin e shtuar të ushtrisë në një krizë të tejzgjatur që tashmë e ka dëmtuar ekonominë e Ukrainës.

Forcat ruse vazhduan lojërat e tyre masive të luftës të mërkurën në Bjellorusi, në veri të Ukrainës.

Perëndimi ka frikë se ato stërvitje mund të përdoren si mbulesë përpara një pushtimi të Ukrainës, por ministri i Jashtëm bjellorus Vladimir Makei tha se të gjitha trupat dhe armët ruse do të largohen nga vendi pasi manovrat të përfundojnë të dielën.

ÇFARË PO BËN NATO?

Ministrat e mbrojtjes nga vendet anëtare të NATO-s u takuan në Bruksel në përpjekje të parandalimit të strategjisë së saj të parandalimit dhe diplomacisë ndaj Rusisë.

Stoltenberg tha se NATO do t’i përcjellë një mesazh shumë të qartë Rusisë se ne jemi të gatshëm të ulemi dhe të diskutojmë me ta, por në të njëjtën kohë, ne jemi të përgatitur për më të keqen.

Ai tha se veprimet e Rusisë kishin provokuar “një krizë në sigurinë evropiane” dhe treguan se Moska ishte e gatshme t’i minonte shtyllat e stabilitetit të kontinentit duke e kërcënuar fqinjin e saj.

“Me keqardhje them se kjo është normalja e re në Evropë”, tha ai.

Stoltenberg tha se NATO e kishte diskutuar vendosjen e forcave të reja beteje në Evropën qendrore, lindore dhe juglindore, duke përfshirë një të tillë të udhëhequr nga Franca në Rumani, megjithatë një vendim përfundimtar nuk është marrë ende.

NATO e ka përjashtuar dërgimin e trupave për ta luftuar Rusinë në Ukrainë, e cila nuk është anëtare e NATO-s. Por qindra trupa amerikane, britanike dhe të tjera të NATO-s janë dërguar për ta forcuar mbrojtjen e vendeve anëtare të Evropës Lindore, duke përfshirë Poloninë dhe shtetet baltike, që kanë frikë se mund të jenë gjithashtu objektiva ruse.

Moska e akuzon NATO-n se po i afrohet gjithnjë e më shumë kufijve të Rusisë. Një kërkesë kryesore ruse është që Ukraina të heqë dorë nga ambicia e saj për t’u anëtarësuar në NATO. Ndërkohë, NATO thotë se Ukraina duhet ta ketë lirinë për t’i bërë zgjedhjet e veta.

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian do t’i diskutojnë zhvillimet e fundit këtë javë përpara fillimit të një samiti BE-Afrikë. BE, SHBA dhe Britania kanë kërcënuar të gjithë sanksione të rënda ndaj Rusisë nëse ajo e pushton Ukrainën.

PËR ÇFARË TJETËR ËSHTË TË I SHQETËSUAR PERËNDIMI?

Diplomatët perëndimorë e kanë quajtur krizën sfidën më të madhe për rendin ndërkombëtar që nga fundi i Luftës së Ftohtë. Kjo krizë, sipas tyre, gjithashtu e ka marrë fokusin e shumë qeverive evropiane në sigurinë e furnizimeve të tyre të ardhshme me energji.

Qeveritë perëndimore akuzojnë Rusinë për shkurtimin e furnizimeve të saj me gaz natyror në Evropë për t’i shfrytëzuar kërkesat e sigurisë së Rusisë, duke kontribuar në muaj me çmime shumë më të larta të energjisë.

Në afat të shkurtër, Evropa po kërkon gaz shtesë nga vende të tjera, përfshirë Japoninë. Kriza mund të përshpejtojë gjithashtu kalimin në energjinë e rinovueshme me që tashmë është duke u zhvilluar.

Në SHBA, Biden po paralajmëron se çmimet e benzinës mund të rriten nëse Putin zgjedh ta pushtojë Ukrainën. Inflacioni është bërë një problem i madh për demokratët të cilët po futen në zgjedhjet afatmesme të vitit 2022, pavarësisht rritjes së fortë ekonomike të vendit vitin e kaluar.

Kostoja e naftës së papërpunuar – dhe benzinës – filloi të rritet gjatë muajit të kaluar pasi Putini grumbulloi forcat në kufirin ukrainas. Parashikimet nga JPMorgan dhe firma të tjera investimi sugjerojnë se nafta e papërpunuar – tashmë me rreth 95 dollarë për fuçi – mund të kalojë 125 dollarë për fuçi për shkak të furnizimeve të mangta, të cilat po intensifikohen.

I dërguari i SHBA për klimën, John Kerry, do ta nënvizojë lidhjen midis përpjekjeve për klimën dhe sigurisë globale në Konferencën e Sigurisë në Mynih në Gjermani, ku ai është planifikuar të flasë të premten. Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken gjithashtu pritet të marrë pjesë në këtë konferencë.

CILI ËSHTË DISPONIMI I UKRAINËS ?

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy e shpalli të mërkurën një “ditë të unitetit kombëtar”. Ai u bëri thirrje qytetarëve që ta shfaqin flamurin kombëtar blu-verdhë dhe ta këndojnë himnin kombëtar përballë “kërcënimeve hibride”. Për të shënuar këtë ditë, demonstruesit shpalosën një flamur kombëtar 200 metra (656 këmbë) në një arenë sportive në Kiev.

“Rusia nuk do të na lërë në paqe, prandaj ne duhet të jemi gjithmonë gati për të”, tha Yuri Maistrenko, 52 vjeç, një shkencëtar në Kiev. “Nuk filloi sot, por mund të fillojë nesër ose pas një muaji”.

ÇFARË PO NDODH NË RUSI?

Putin, i cili ka pasur takime të tensionuara me presidentin francez Emmanuel Macron dhe Scholz të Gjermanisë ditët e fundit, dukej në disponim të mirë të mërkurën kur takoi presidentin autoritar brazilian Jair Bolsonaro në Moskë.

Ndërkohë, ligjvënësit rusë i kanë kërkuar Putinit të njohë si shtete të pavarura zonat e kontrolluara nga rebelët në Ukrainën lindore ku Rusia i ka mbështetur rebelët në një konflikt që ka lënë të vrarë më shumë se 14,000 njerëz që nga viti 2014. Putini sinjalizoi se ai nuk ishte i prirur të mbështeste këtë propozim, i cili në mënyrë efektive do ta shkatërronte një marrëveshje paqeje të vitit 2015.

Blinken tha se nëse Putin do ta miratonte këtë propozim, kjo do të ishte “një shkelje e rëndë e ligjit ndërkombëtar” dhe do të sillte “një reagim të shpejtë dhe të fortë” nga SHBA dhe aleatët e saj.

CILI ËSHTË NDIKIMI I MËTEJMË NË TERREN?

Kriza Rusi – Ukraine po shkakton lëkundje edhe në hapësirat detare dhe qiellore.

Ukraina International Airlines tha se ka dërguar disa nga avionët e saj të pasagjerëve në Spanjë “për t’i mbajtur të sigurt”. Kjo linjë ajrore tha se e mori këtë vendim nën presionin e kompanive të sigurimit “për shkak të situatës së politikës së jashtme”.

Aeroporti në Castellón në Spanjën lindore tha se pesë aeroplanë kishin arritur, me një të gjashtin që pritej të arrinte.

Linja ajrore ukrainase vazhdon të operojë në dhe nga Ukraina me një flotë të reduktuar./AP