Kreshnik Gashi: Kosova duhet të krijojë prokurori të veçantë për hetim të krimeve të luftës

Në Kosovë ka mungesë vullneti për të ndërtuar kapacitete për hetim të krimeve të luftës.

Kështu tha në emisionin “Kallxo Përnime”, Kreshnik Gashi, redaktor në KALLXO.com.

Gashi deklaroi se Kosova do duhej të krijonte prokurori të veçantë për krime të luftës, siç kanë bërë vendet e tjera që kanë kaluar nëpër kriza.

“Në Kosovë ka mungesë të vullnetit për të ndërtuar kapacitete për hetim të krimeve të luftës. Problemi nuk qëndron vetëm te kapacitetet e Prokurorisë Speciale, por te vizioni i shtetit për t’i hetuar krimet e luftës. Në vendet e tjera të botës që kanë kaluar në kriza, kanë ndërtuar departamente speciale për hetim të krimeve të luftës, pra kanë prokurori të veçantë për krimet e luftës, e cila do kishte funksionuar me një prokuror të veçantë, me staf, buxhet, mekanizëm, strukturë dhe bazë të veçantë ligjore”- u shpreh Gashi.

Tutje, Gashi potencoi se një prokurori e tillë do kishte buxhet të vetin, numër të mjaftueshëm te prokurorëve, policinë gjyqësore, forenzikën etj.

“Për atë prokurori do ndahej buxhet disa milionësh, do përcaktohej ligjërisht numri i prokurorëve e jo sikur tani që flasim se janë 1 ose 2. Nuk do varfëroheshin prokuroritë tjera për krijim të kësaj që përmenda. Ajo prokurori do duhej të kishte policinë e vetë gjyqësore, të forenzikës, departamentet të veta”- shtoi tutje Gashi.

Sipas tij, në Kosovë nuk ka ide për t’u ndërtuar kapacitete të tilla.