Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Krasniqi: Qeveria Kurti i ka sjellë regres Kosovës, PDK do ta rikthej qeverisjen që e mban fjalën

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi gjatë vizitës në Gjakovë ka thënë se Qeveria Kurti po diskriminon qytetarët duke mos ndarë para për investime të reja kapitale në këtë komunë.

Ai ka thënë se modeli qeverisës ekzistues ka sjellë vetëm regres në Kosovë.

Ndërsa është zotuar që PDK do ta rikthej modelin efektiv të qeverisjes, që mban fjalën, kryen punë edhe ua lehtëson jetën e qytetarëve.

“Unë jam i impresionuar nga puna që është bërë në të gjitha këto qendra e ndërmarrje të cilat i vizitova sot dhe me të vërtetë, na takon secilit, pavarësisht pozicionit, që të jemi pranë ndërmarrësve, të jemi pranë inovatorëve, që të jemi pranë qytetarëve, për të lehtësuar jetën e tyre, sepse modeli qeverisës ekzistues është model, i cili ka sjellë vetëm regres. Ndërsa, ne besojmë që do të rikthejmë modelin efektiv të qeverisjes, si një qeveri e cila e mban fjalën, që kryen punë edhe që lehtëson jetën e qytetarëve, ashtu siç po bëjmë në të gjitha komunat të cilat udhëhiqen nga kryetarët e Partisë Demokratike të Kosovës” – ka thënë Krasniqi.

Krasniqi në Gjakovë ka qenë i shoqëruar nga kryetari i Degës së PDK-së në Gjakovë, deputeti Hajdar Beqa dhe nga kryesuesja e Kuvendit Komunal, Arbënesha Kuqi, në vizitat që i kanë bërë nëpër ndërmarrje.

Deputeti Beqa ka thënë tha se ndërmarrësit po ballafaqohen me shumë sfida, andaj është e rëndësishme të krijohet një strategji bashkë me ekspertët dhe ndërmarrësit, që PDK t’i përfshijë këto objektiva në alternativat për zhvillim ekonomik në të ardhmen.

Ai ka thënë se komuna e Gjakovës ka pësuar nga buxheti qeveritar për vitin 2024.