Albin Kurti në Ohër, Foto: KALLXO.com
Kurti: Isha i gatshëm ta shkruaj vetë draft-statutin për Asociacionin, BE-ja refuzoi
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur i gatshëm që ta shkruaj vetë draft-statutin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, por që sipas tij një gjë e tillë nuk u lejua nga Bashkimi Evropian.
Kurti para gazetarëve deklaroi se BE-ja nuk ka pranuar që ai ta shkruajë, pasi këtë duhet ta bëjë ekipi menaxhues, si pasojë e marrëveshjeve të mëhershme.
“Në takimin e Ohrit kam pranuar që draft-statutin ta shkruaja unë por me ato tri shtyllat parimore që duhet pranuar parimisht. Një gjë e tillë u refuzua dhe mua mu tha nga ndërmjetësit që këtë duhet ta bëjë ekipi menaxhues si pasojë e marrëveshjeve të mëhershme në dialogun e Brukselit në ato vitet para një dekade. Pra tash i përket ndërmjetësit që ta përcaktojë agjendën e takimit të datës 2 maj, ndërkaq unë do ta takoj në një konferencë ndëkombëtare ndërmjetësin Lajçak, këtë javë”- theksoi Kurti.
Ai tha se si kryeministër i vendit do të kujdeset për kushtetutshmëri, ligjshmëri dhe që gjithçka të jetë në përputhje me parimet dhe qëllimet e vendit.
“Pra unë kam shprehur gatishmërinë ta bëj këtë mirëpo, asokohe më patën thënë që duhet ta bëj njëherë ekipi menaxhues. Ai ekip edhe statusin edhe punën e ka jo aq të njohur megjithatë ky ka qenë qëndrimi i ndërmjetësit, unë si kryeministër i Kosovës kujdesem për kushtetutshmëri, ligjshmëri dhe që gjithçka të jetë në përputhje me parimet dhe qëllimet tona”- tha Kurti.
“Nuk ka anëtarë të grupit punues nga ana jonë, unë kam zëvendësin tij i cili në portofolin e tij është përgjegjës për integrimet evropiane, për zhvillimin dhe dialogun. Ndërsa draft-statutin në të kaluarën kanë konsideruar që e ka për detyrë ekipi menaxhues i cili ka një vendim të fundit të ish-zv kryeministrit Rakiq nga 25 shtatori 2020, për një ndërrim të përbërjes por, kaq di nga ana ime. I përket ekpit menaxhues që të shfaqet, por ministri im Elbert Krasniqi i ka bërë ftesë për takim këtyre por, ata nuk janë përgjigjur asnjëherë”- ka shtuar ai.
Më tej, Kurti tha se Marrëveshja drejt normalizimit të raporteve me Serbinë duhet të zbatohet sa më shpejt, por Beogradi, sipas tij, nuk ka gatishmëri për ta zbatuar atë.
“Marrëveshja e 27 shkurtit që është propozim i BE-së dhe aneksi implementues që u bë pjesë integrale nga takimi i Ohrit duhet të zbatohen në plotni dhe sa më parë. Teksti është i qartë, ai do zbatim, është për të ardhur keq që pala tjetër ka thënë që do të bëjë zbatim të pjesshëm që është një mënyrë tjetër që thotë nuk do të bëjë zbatim” – është shprehur Kurti.
BE ka bërë të ditur se takimi i radhës i nivelit të lartë, mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, do të zhvillohet më 2 maj në Bruksel.
Ndërkaq, më 18 mars në Ohër, Kosova dhe Serbia janë dakorduar për aneksin e zbatimit të planit të Bashkimit Evropian i njohur ndryshe si Plani franko-gjerman.