KQZ pranon kërkesën e Presidentes për rekomandimin e emrave që do të zëvendësojnë deputetët e LS

Komisioni Qendrorë i Zgjedhjeve (KQZ) ka pranuar kërkesën nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani për të rekomanduar emrat e personave në radhë për të plotësuar vendet e lira nga dorëheqja e deputetëve të Listës Serbe.

Kështu ka konfirmuar në një prononcim për KALLXO.com, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

“Mund t’iu konfirmoj se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar kërkesën nga Presidentja e Republikës së Kosovës për të rekomanduar emrat e personave të ligjshëm të radhës për të plotësuar vendet e lira në Kuvendin e Republikës së Kosovës”- ka thënë Elezi.

Elelzi ka thënë se KQZ-ja do të përgatisë rekomandimin brenda afatit prej 5 ditëve, ashtu siç e parasheh edhe ligji.

“Duke u mbështetur në ligjin për zgjedhjet e përgjithshme, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të përgatisë rekomandimin brenda afatit ligjor prej 5 ditësh pune nga momenti i marrjes së kërkesës”- tha Elezi për KALLXO.com.

Dhjetë deputetët e Listës Serbe (LS) dje zyrtarisht i kanë dorëzuar dorëheqjet në Kuvendin e Kosovës.

Kështu ka bërë të ditur Kuvendi i Kosovës përmes një komunikate për media.

“Njoftojmë se 10 deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës nga subjektipolitik parlamentar Lista serbe, kanë dorëzuar dorëheqje të parevokueshme”- thuhet në njoftim.

Deputetët që kanë dorëzuar dorëheqjen janë: Slavko Simic, Adem Hodza, Igor Simic, Miljana Nikolic, Zoran Mojsilovic, Verica Ceranic, Branislav Nikolic, Milos Perovic, Ljubinko Karadzic, Jasmina Dedic dhe Dragana Antonijevic.

Kjo pasi në një mbledhje në Mitrovicë të Veriut, më 5 nëntor, të ftuar nga LS, në të cilën morën pjesë zyrtarë të lartë shtetërorë nga komuniteti serb, u njoftua largimi i tyre nga institucionet, përfshirë niveli qendror ekzekutiv, lokal e nga gjyqësori.

 

 

Dorëheqja e deputetëve të Listës Serbe, çka do të ndodhë në Parlament?