Kosovës i hapet rruga për anëtarësim në Këshillin e Evropës

Komiteti Ministror i Këshillit të Evropës sot në një mbledhje të jashtëzakonshme mori vendimin që t’ia përcjellë Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës kërkesën për anëtarësim të Republikës së Kosovës.

Kështu ka bërë të ditur, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.

“Komiteti Ministror i Këshillit të Evropës, i cili përfaqëson 46 shtetet anëtare, në një mbledhje të jashtëzakonshme, me më shumë se 2/3 e votave sapo mori vendimin që t’ia përcjellë Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës kërkesën për anëtarësim të Republikës së Kosovës”- ka njoftuar Gërvalla.

Sipas saj vendimi i sotëm përbën një hap historik, përderisa shton se procesi i anëtarësimit është i gjatë dhe plot sfida.

“Për shtetin tonë të ri, vendimi i sotëm përbën një hap historik, ndoshta më të rëndësishmin pas pavarësisë sonë. Me këtë vendim përmbyllet një etapë e rëndësishme drejt anëtarësimit të plotë. Mbetet edhe shumë punë për të bërë. Procesi i anëtarësimit është i gjatë dhe plot sfida. Por Republika e Kosovës në fund të procesit do ta zërë vendin e saj të merituar si anëtare e Këshillit të Evropës”- shkruan Gërvalla.

Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës më 12 maj 2022.

Aplikimi i Kosovës në Këshillin e Evropës fillimisht duhet të trajtohet nga Komiteti i Ministrave, dhe pas vlerësimit të situatës në Kosovë, fjalën e fundit e jep Asambleja Parlamentare, e cila përbëhet nga përfaqësuesit e shteteve anëtare.

Për pranim në Këshillin e Evropës duhen dy të tretat e votave.