Kosova s’ka film për 'Oscars' për 2024

Qendra Kinematografike e Kosovës, ka bërë të ditur se Kosova nuk do propozojë film për çmimet “Oscars” për 2024.

Sipas QKK-së, komiteti selektues i kësaj qendre ka vendosur që Kosova këtë vit të mos propozojë film për garën e nominimeve në kategorinë e filmit ndërkombëtar për edicionin e radhës të “Oscars 2024”.

Sipas njoftimit, pas konsiderimit të detajshëm të aplikimeve të këtij viti, komiteti selektues në përbërje: Veton Nurkollari, Kaltrina Krasniqi, Sevdije Kastrati, Doruntina Basha, Fatmir Spahiu, Kushtrim Hoxha dhe Yllka Brada, ka konstatuar se propozimet e ardhura në konkursin e QKK-së për “Oscars 2024” nuk reflektojnë mjaftueshëm standardin e prurjeve të deritanishme në kinematografi.

“Pas konsiderimit të detajshëm të aplikimeve të këti viti, komiteti selektues ka konstatuar se veprat në konkurrencë deshmojnë prezencë të talentit vibrant, kërkues e provokativ në ardhje, por që nuk reflektojnë mjaftueshëm standardin e prurjeve të deritanishme në kinematografi. Si rezultat i kësaj, krahas sukseseve të vazhdueshme të filmave, komiteti ka vendosur unanimisht që në edicionin e “Oscars 2024” të mos dërgojë përfaqësues nga Kosova”- thuhet në njoftim.

QKK ka kujtuar pjesëmarrjen dhe sukseset e deri tashme të  filmbërëseve kosovarë të prezantuara në propozimet e filmave për, duke u afruar madje edhe deri te 15-shja e rrethit të ngushtë të filmave, siç ishte “Zgjoi” në vitin 2021.

Katër propozime- filma ishin në garë për ta përfaqësuar Kosovën në  kategorinë e filmiy ndërkombëtarë të huaj në “Oscars” 2024.

Ceremonia e 96-të e çmimeve “Oscars” do të mbahet  më 10 mars 2024.

Nga 2014, Kosova ka fituar të drejtën për të përzgjedhur një film për garën e çmimeve “Oscars” në kategorinë e filmit të huaj. Suksesi më i madh kinematografik i Kosovës mbetet nominimi i filmit të shkurtër britaniko-kosovar “Shok” në kategorinë “Best Live Action Short”, në OSCARS më 2016

. Ndërsa në viti 2021, Kosova me filmin ‘Zgjoi’ arriti në 15 e filmave më të mirë të propozuar për kategorinë filmave të huaj (jo amerikanë) në “Oscars”.